Venera Azizi dhe Marija Miteva u emëruan zëdhënëse të Qeverisë së RMV-së, Naum Stoillkovski koordinator

Venera Latifi Azizi dhe Marija Miteva në seancën e sotme u emëruan zëdhënëse të Qeverisë së RMV-së. Naum Stoillkovski u emërua këshilltar për komunikim me marrëdhënie me publikun i angazhuar për koordinimin e zëdhënësve, raporton Portalb.mk.

Venera Latifi Azizi është ish-redaktore dhe gazetare në Radio Evropa e Lirë në Pragë, redaktore në agjencinë e lajmeve MIA, redaktore dhe prezantuese në Televizionin Alsat M, redaktore në gazetën KOHA, Televizionin A1 dhe media të tjera në vend. Aktualisht është e punësuar në zyrën e kryetarit të Komunës së Çairit si person përgjegjës për marrëdhënie me publikun dhe për mbështetjen e kryetarit. Politologe e diplomuar në Universitetin e Evropës Juglindore. Aktualisht është studente e magjistraturës në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në temën “Roli i misioneve diplomatike dhe integrimi euroatlantik i Maqedonisë së Veriut.

Marija Miteva me profesion është juriste e diplomuar në Universitetin e Shën. Kirili dhe Metodi – Fakulteti Juridik Justiniani I, me magjistraturë në të drejtën afariste dhe provimin e dhënë të jurisprudencës. Ajo ka pasur pozita si këshilltare për çështje juridike në Qeveri, si dhe këshilltare për çështje normative në qytetin e Shkupit. Viteve të fundit ajo është angazhuar në mënyrë aktive në politikë, ndërsa u zgjodh edhe deputete.

Naum Stoillkovski është gazetar i diplomuar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në karrierën e tij ka punuar në media të shkruara, gazeta ditore, të përjavshme, ka punuar si gazetar televiziv, redaktor lajmesh, producer, redaktor dhe drejtues i emisioneve televizive dhe radio, si dhe në përmbajtje moderne të mediave në internet.

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u votua nga deputetët më 23 qershor të këtij viti në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Kjo Qeveri përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja me partnerët koalicionues – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut