Vazhdon SkupiFestival 2025: Teatri evropian dhe rajonal në skenën e Teatrit Shqiptar

Në Shkup po vazhdon të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “SkupiFestival 2025”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon që mbledh trupa teatrore dhe artistë nga vendi dhe bota. Ky festival do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke ofruar një program të pasur për të gjithë dashamirësit e teatrit, shkruan Portalb.mk.

Programi i këtij edicioni përfshin shfaqje të zhanreve të ndryshme, nga drama bashkëkohore deri tek interpretimet klasike, duke sjellë në skenë tema aktuale dhe universale. Përmes këtij festivali, publiku shkupjan ka mundësi të shijojë artin teatror të larmishëm, të ndërveprojë me artistë ndërkombëtarë dhe të ndjekë diskutime e panele mbi zhvillimet e reja në fushën e teatrit.

Mbrëmë në natën e tretë u prezantua shfaqja “Gruaja e Makbethit dhe unë 2.0”-Teatri Global, Lubljanë, Slloveni, nën regji të Nik Uperd dhe shfaqja “Tërbim për dy persona ose më shumë”-Teatri Hera, Stamboll, Turqi, nën regji të Senem Xhevher.

Foto nga shfaqja “Tërbim për dy persona ose më shumë”. Foto: Skupifestival (Facebook)

Sonte në natën e katërt me fillim nga ora 20:00 do të paraqitet Teatri kombëtar Nish, Serbi me shfaqjen “Don Zhuan”- nën regji të Vasil Vasilev.

Ndërkaq të premten më (3 tetor) me fillim nga ora 19.00 paraqitet shfaqja “X- Yalta Art Room”, Sofje, Bullgari, autor Omar Kajam dhe Bojan Kraçollov, nën regji të Bojan Kraçollov, ndërsa në orën 20:30 do të shfaqet vepra Medea”- Teatri kombëtar “Ivan Vazov”, Sofje, Bullgari, autor Euripidi, regjia Deklan Donellan.

Foto nga shfaqja “Gruaja e Makbethit dhe unë 2.0”.Foto: Skupifestival (Facebook)

shtunën me (4 tetor) festivalin do ta mbyllë Teatri Metropol, Tiranë, Shqipëri, me veprën “Gjysmë-jeta e Marie Curie”- me autor Lauren Gunderson, nën regji të Armela Demaj.

Në fund të programit do të ndahen edhe çmimet e festivalit, duke vlerësuar shfaqjet dhe artistët më të spikatur të këtij edicioni. “SkupiFestival 2025” është dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar kultura të ndryshme dhe për të sjellë energji të re në jetën kulturore të kryeqytetit.

Festival i teatritKultura shqiptareKulturë lajmeSkupi FestivalTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar Shkup