Vazhdon partizimi në RMV, njerëz të “tyre” në krye të institucioneve nën vellon e u. d. drejtorë

Vazhdon praktika e emërimit të ushtruesve të detyrës si drejtorë në ndërmarrjet publike. Me ndryshimin e qeverisë dhe ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, filloi emërimi i ushtruesve të rinj të detyrës së drejtorit në institucione, pra pa shpallje publike, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Me ushtrues të rinj të detyrës drejtor u bë DZZhT, Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Pyjet Nacionale, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Pastaj, këto u.d. drejtorë sërish do të emërojnë ushtruesit (e tyre) të detyrës drejtorë me mandat 6 mujor në institucionet që janë nën ombrellën e tyre dhe kështu ky proces do të përhapet pothuajse në çdo të dytin institucion.

Këtë e nxori në pah edhe hulumtimi i Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) për periudhën e kaluar – se instituti “ushtrues detyre ose u.d.” përdoret në të gjitha fushat e veprimit dhe në të gjitha llojet e institucioneve. Kështu, gjatë viteve të kaluara, ushtrues detyre (u.d.) janë emëruar 39 përqind e drejtorëve të 252 institucioneve nga sektori publik.

Përndryshe, instituti ushtrues i detyrës së drejtorit duhet të përdoret në raste të jashtëzakonshme, deri në zgjedhjen e drejtorit, sepse me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor kandidatët jo domosdoshmërisht i plotësojnë kërkesat minimale të përcaktuara në ligj.

Neda Maleska. Foto: Arkivi personal

“Ligjet ose nuk e lejojnë ose e kufizojnë emërimin e u.d. drejtor për një periudhë prej gjashtë muajsh, por në praktikë ky instrument përdoret shumë më shpesh dhe më gjatë, në kundërshtim me rregulloret ligjore. Një nga arsyet pse instituti ushtrues i detyrës përdoret disa herë radhazi është sepse në këtë mënyrë mundësohet shmangia madje edhe e kritereve minimale, themelore të përcaktuara (si për shembull niveli i arsimit apo përvoja e punës në atë fushë) gjatë emërimit dhe emërohen persona që në këto pozita vijnë ekskluzivisht përmes politikës”, thotë Neda Maleska, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN).

Një shembull për këtë është emërimi i drejtorit të Drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve, Aleksandar Pandov. Për shembull, Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve parasheh që për zgjedhjen e drejtorit është e nevojshme të ketë shpallje publike dhe të plotësohen kushte si arsimi i lartë, të mos jenë të dënuar, të kenë tëpaktën 10 vjet përvojë pune, nga të cilat pesë vjet në fushën e ekzekutimit të sanksioneve apo punëve të ngjashme me to “ (që nga ana tjetër le hapësirë ​​të mjaftueshme për interpretim). Por, në këtë rast shmangen edhe këto kushte, kështu që Pandovi, por edhe pjesa tjetër e u.d. drejtor emërohen në seancë qeveritare, pa shpallje publike.

Printscreen, Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve

A ka domino efekt dhe çfarë implikimesh sjell ky lloj emërimi?

“Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve pastaj i emëron drejtorët e të gjitha institucioneve ndëshkimore-përmirësuese dhe përmirësuese-riedukuese. Dhe për zgjedhjen e drejtorëve të këtyre institucioneve nuk ka një procedurë të paraparë, vetëm shpallje publike dhe kushte minimale (shkollimi i lartë, të mos jenë të dënuar, të kenë së paku shtatë vjet përvojë pune, nga të cilat katër vjet në fushën e zbatimi i sanksioneve apo punëve të ngjashme, njohje të gjuhës)”, thekson Maleska.

Drejtorët e këtyre institucioneve ndëshkimore-përmirësuese dhe përmirësuese-riedukuese i emëron dhe i shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të drejtorit të Drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve, që është organ në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Deri më tani, pesë persona udhëheqës në institucionet ndëshkimore-përmirësuese dhe përmirësuese-riedukuese kanë qenë ushtrues detyre, edhe pse Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve nuk e lejon aspak emërimin e ushtruesve të detyrës. Gjithashtu, në tre nga pesë institucionet ndëshkimore-përmirësuese dhe përmirësuese-riedukuese që kanë dorëzuar të dhëna në Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve janë emëruar zëvendësdrejtorë. Këta persona vendosin për pozitën dhe kushtet e personave të paraburgosur dhe të të burgosurve.

Edhe nga shtatë herë i njëjti person emërohet për u.d. drejtor

Misha Popoviq. Foto: Societas Civilis

Ideja e ekzistimit të mundësisë për emërimin e një ushtruesi të detyrës është që për një kohë shumë të shkurtër të mund të emërohet një drejtor, kur gjatë një situate të jashtëzakonshme një pozicion i tillë bëhet vakant – dorëheqje, shkarkim, vdekje, etj. Ai që emëron ka nevojë për fleksibilitet, me fjalë të tjera për kushte më të lehta për emërim në mënyrë që të mund ta plotësojë shpejt vendin vakant, shpjegon për Meta.mk Misha Popoviq, udhëheqës i Qendrës për qeverisje të mirë në Institutin për Demokraci Societas Civilis.

Mirëpo, shton ai, tek ne kjo procedurë e thjeshtuar e emërimit të të ashtuquajturit “ushtrues detyre” në të shumtën e rasteve përdoret për disa arsye: për t’i anashkaluar kriteret që duhet t’i plotësojë personi që do të jetë drejtor, për ta shmangur konkurrencën nga kandidatët e tjerë të mundshëm; për t’u treguar kandidatëve të mundshëm se kush është personi i dëshiruar, për t’i dekurajuar ata të aplikojnë në momentin kur ka një shpallje.

“Përveç kësaj ka më shumë raste kur anashkalohet afati prej gjashtë muajsh, emërimi përsëritet edhe për gjashtë muaj të tjerë, që të përdoret diskrecioni gjatë emërimit pa i marrë parasysh kriteret dhe cilësinë. Ose me disa fjalë, keqpërdoret nevoja për fleksibilitet për raste të jashtëzakonshme”, thotë Popoviq.

Nga e gjithë kjo si efekt është se duke emëruar persona që në kushte të tjera nuk do mund të ngjiteshin në krye të rang listës, humbet mundësia që institucionet të drejtohen nga kandidatët më të aftë me interes potencial.

“Tek ne në të shumtën e rasteve, me disa përjashtime, filtri është besnikëria partiake. Në këtë mënyrë dekurajohet ambicia dhe zelli i punëtorëve dhe kuadrot cilësore pastaj kërkojnë zgjidhje në sektorin privat apo jashtë vendit”, thotë Popoviq.

Për këtë praktikë të emërimit të ushtruesve të detyrës drejtor për vite me radhë ka reaguar Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Ajo që është e përbashkët për të gjitha këto emërime është se posti i ushtruesit të detyrës drejtor nuk përdoret për ta kapërcyer një situatë të jashtëzakonshme deri në plotësimin e posteve udhëheqëse me shpalljen e një konkursi publik, siç është paraparë në ligjet materiale, por përdoret rregullisht sikur të ishte mënyra e vetme për t’i emëruar drejtorët. U.d. drejtor në parim duhet të emërohet për një periudhë gjashtë mujore, deri në plotësimin e postit me një konkurs publik, por në vend të kësaj, komisioni është përballur me raste kur i njëjti person është emëruar si ushtrues detyre drejtor për 7 herë radhazi, edhe pse kohëzgjatja e detyrës së tyre duhet të jetë e kufizuar”, deklaruan nga KSHPK, por deri më tani asnjë strukturë qeverisëse nuk ka pasur vesh për këto vërejtje.

Ku është zgjidhja?

Miratimi i Ligjit për Shërbimin e Lartë Udhëheqës shihej si një nga zgjidhjet e mundshme për standardet për profesionalizimin e shërbimit të lartë udhëheqës. Por ky ligj i hartuar që në vitin 2019 u hartua e më pas u tërhoq nga procedura parlamentare dhe më pas nuk e pa më dritën e diellit.

“Shtyrja e zbatimit të ligjit mundëson vazhdimin e praktikës së emërimeve jo transparente dhe jocilësore të drejtorëve dhe udhëheqësve. Për t’i dhënë fund kësaj praktike është i domosdoshëm miratimi i menjëhershëm i Ligjit për Shërbimin e Lartë Udhëheqës dhe zbatimi i tij. Korniza e papërcaktuar ligjore për momentin lejon abuzimin dhe ndarjen e pozitave me procedura jotransparente, bazuar në lidhjet partiake dhe marrëveshjet e koalicionit. Kjo rezulton me joefikasitet të institucioneve dhe e çrregullon ofrimin në kohë dhe cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve”, kanë deklaruar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Bashkësia ndërkombëtare për vite me radhë ka theksuar nevojën për departizim dhe për investim në kapacitetet e administratës publike. Ky ligj duhej të siguronte kuadrot më adekuate për udhëheqjen e institucioneve dhe t’i parandalojë pazaret partiake.

Para zgjedhjeve Societas Civilis bëri thirrje se tani është koha e duhur për të bërë përpjekje dhe për ta miratuar Ligjin për Shërbimin e Lartë Udhëheqës, pra para shpërndarjes së Kuvendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por një gjë e tillë nuk ndodhi, ndërsa praktika e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor vazhdoi të praktikohet edhe më tej.

DrejtorëEurointegrime Negociata RMV-BEKeqpërdorim i pozitës zyrtareQeveria e Maqedonisë së VeriutReforma në administratëVMRO-DPMNE