Ky postim përhap teorinë e konspiracionit se pandemia e COVID-it ishte e planifikuar për të vaksinuar njerëzit me vaksina gjenetikisht të modifikuara, të cilat përmbanin nanomolekula që përmes rrezatimit në mjediset urbane (shpeshherë kjo lidhet me rrjetin 5G) mund të çonin në vdekje cerebrale te njerëzit. Në vaksinat kundër COVID-19 nuk ka teknologji transhumaniste modifikuese të mRNA-së me nanoteknologji. Në vaksinat e “Pfizer” dhe “Moderna”, mRNA-ja ndodhet në një “kapelë lipide” ose më saktë, në një shtresë yndyrore, që përshkruhet si nanomolekulë. Parashtesa “nano” thjesht tregon se është e vogël në madhësi, dhe jo se është nanoteknologji. Pretendimi se Kina po zhvillon ushtarë të modifikuar gjenetikisht me inteligjencë artificiale bazohet në spekulime dhe raporte mediatike dhe nuk ka dëshmi të forta, shkruan Vërtetmatësi.
Analizojmë një postim në Facebook i cili ndër të tjera thotë:
Në një intervistë të pabesueshme, biologu molekular Dr. Kahil pohon se epidemitë vdekjeprurëse ndoshta nuk janë ashtu siç duken.
Sipas Kahilit, një koktej sekret prej nanopjesësh metalike të injektuara përmes vaksinave kundër COVID-19 dhe “mikro-eksplozione rrezatimi” në mjedise urbane mund të shkaktojnë simptoma si gjakderdhje në tru dhe goditje të vogla cerebrale.
Këto ngjarje të papritura dhe serioze neurologjike mund të prezantohen në publik gabimisht si ebola apo viruse të tjera hemorragjike — duke shkaktuar frikë, bllokime dhe masa bio-sigurie me justifikime të rreme!
Kina po zhvillon ushtarë supergjenetikisht të modifikuar me inteligjencë artificiale!…
Teoria e komplotit se pandemia e COVID-19 ishte e planifikuar për të vaksinuar njerëzit me vaksina gjenetikisht të modifikuara, të cilat synojnë t’i çipojnë njerëzit dhe më pas t’i kontrollojnë përmes rrjetit 5G, nuk është asgjë e re dhe Vërtetmatësi ka shkruar shumë tekste mbi këtë temë. Postimi që po analizojmë përpiqet të përhapë këtë teori konspirative duke pretenduar se vaksinat kundër COVID-19 përmbajnë nanomolekula që përmes rrezatimit në mjedise urbane (shpesh lidhet me rrjetin 5G) mund të çojnë në vdekje cerebrale tek njerëzit.
Pretendimet se vaksinat kundër COVID-it, të cilat janë prodhuar me teknologjinë mRNA, përmbajnë GMO dhe nanoteknologji, janë të rreme. Në vaksinat kundër COVID-19 nuk ka teknologji modifikuese të mRNA-së me nanoteknologji transhumaniste.
Teknologjia mRNA daton nga vitet 1990, por për herë të parë u përdor gjerësisht në vaksinat gjatë pandemisë. Në vaksinat e Pfizer dhe Moderna, mRNA gjendet në një “kapak lipidik” ose më saktë, në një mbështjellje yndyre që përshkruhet si nanomolekulë. Parashtesa “nano” thjesht do të thotë që është shumë e vogël në madhësi, jo se është nanoteknologji.
Pretendimet për elementë mikroskopikë që ndodhen në trupin e të vaksinuarve ekspertët e imunologjisë i quajnë fantazi të pastër dhe absurditet.
Profesori i Universitetit të Queensland-it, Kit Chapel, thotë se pretendimi për nanoteknologji në vaksina është qesharak.
Vaksinat mRNA përmbajnë nanomolekula, por ato janë përbërë nga lipide dhe molekula kolesteroli. Këto janë të ngjashme me pika mikroskopike yndyre që bartin vaksinën brenda qelizave. Këto padyshim nuk janë komponentë elektronikë dhe nuk ka kuptim në asnjë nivel, deklaroi ai.
Rrjeti 5G, i cili lidhet me këto të ashtuquajtura nanomolekula që aktivizohen nga rrezatimi, nuk ka asnjë lidhje me vaksinat. Teoria e komplotit se rrjeti 5G dhe ndonjë mikroçip i pavërtetë në vaksina janë një përpjekje e kombinuar për të kontrolluar popullatën – ku lëviz, çfarë bën, çfarë blen, dhe madje edhe idetë se me çipet do të kontrollohet procesi i mendimit të individit të vaksinuar – është thjesht një teori qesharake konspirative, pa asnjë bazë faktike dhe e pa mbështetur nga realiteti. Teknologjia 5G në komunikim dhe vaksinimi në shëndetësi nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Se nuk ka lidhje dhe se rrjeti 5G nuk ka asnjë ndikim mbi koronavirusin u konfirmua që në fillim të vitit 2020. Pothuajse të gjitha institucionet relevante dolën me raporte që nuk ka dëshmi se ky rrjet ndikon në sistemin imunitar dhe se është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.
Në shkurt 2020 edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se nuk është gjetur ndonjë ndikim i këtij rrjeti mbi shëndetin publik.
Dhe pavarësisht shumë kërkimeve të kryera, deri më tani nuk është vërejtur asnjë ndikim i dëmshëm në shëndet të shkaktuar nga ekspozimi ndaj teknologjisë pa tela, thuhet në shpjegimin e OBSH-së.
Sa i përket pretendimit se vdekjet nga nanomolekulat në vaksina do të paraqiten si ndonjë virus vdekjeprurës, siç është ebola, kjo gjithashtu nuk ka asnjë lidhje me faktet dhe realitetin. Ebola është një virus i vërtetë, një sëmundje te njerëzit e shkaktuar nga virusi ebola. Edhe pse nuk dihet me siguri se si është transmetuar ebola nga kafshët te njerëzit, transmetimi ka ndodhur përmes kontaktit me kafshë të egra të sëmura (shimpanze, gorilla, babunë) ose lakuriqë të mëdhenj frutërorë.
Epidemia e parë e njohur e ebolës ndodhi midis qershorit dhe nëntorit të vitit 1976, në Nzara, Sudani i Jugut (atëherë pjesë e Sudanit), dhe u shkaktua nga virusi sudanez (SUDV). Kjo epidemi preku 284 persona, prej të cilëve 151 të infektuar humbën jetën. Personi i parë i infektuar u regjistrua më 27 qershor në një dyqan të fabrikës së pambukut në Nzara, u dërgua në spital më 30 qershor dhe vdiq më 6 korrik. Stafi mjekësor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i përfshirë në trajtimin e epidemisë e kuptoi se bëhej fjalë për një sëmundje të panjohur deri atëherë; emërtimi dhe identifikimi i virusit ndodhi disa muaj më vonë në Zair.
Nga pikëpamja kohore, ebola u shfaq shumë para vaksinave kundër COVID-19, ndaj nuk mund të ketë lidhje midis tyre.
Sa i përket pretendimit se Kina po zhvillon ndonjë ushtar gjenetikisht të modifikuar me inteligjencë artificiale, kjo bazuar kryesisht në spekulime dhe raporte mediatike dhe nuk ka dëshmi të forta.
Në dhjetor 2020, ish-drejtori i inteligjencës amerikane John Ratcliffe deklaroi se “inteligjenca amerikane tregon se Kina ka kryer teste mbi njerëz në Ushtrinë Çlirimtare Popullore me qëllim krijimin e ushtarëve biologjikisht të përmirësuar dhe me aftësi të veçanta”.
Ky qëndrim u konfirmua nga analistët Elsa Kania dhe Wilson VornDick, të cilët në vitet 2019/20 evidentuan se shkencëtarë ushtarakë kinezë po hulumtojnë mundësitë e teknologjive si CRISPR për të rritur performancat njerëzore.
Faqja për verifikimin e fakteve Snopes në vitin 2021 vlerësoi se nuk ka prova që Kina po kryen modifikime gjenetike tek njerëzit e vërtetë për të krijuar super-ushtarë — dhe e cilësoi këtë pretendim si “i paprovuar”.
Nga të gjitha sa më sipër mund të përfundojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.