Vajti në qiellin e dritës së amshueshme rilindësi i fundit, profesor Musa Arifi

 Shkruan: Xhelal Zejneli

Pasditja e 2 korrikut të vitit në vazhdim ishte pikëlluese për qytetarët e qytetit rrëzë Sharrit. Atë ditë, i përcjellë prej një numri të madh të ish-nxënësve të tij, prej ish-kolegëve dhe prej një numri të madh të qytetarëve, vajti në amshim pedagogu i shquar, Profesor Musa Arifi.

Ishim të moshës para-rinore kur na mësoi se art është çdo punë e paramenduar, e punuar me kujdes dhe që përmban domethënie njerëzore. E kishim vështirë ta perceptonim ligjëratën e Profesorit për Enkuduin i cili pas shumë peripecive me të cilat ishte ballafaquar gjatë jetës, kishte ardhur në përfundim se njeriun e bëjnë të pavdekshëm vetëm veprat e mira për njerëzimin.

Profesor Musai kishte një përgatitje profesionale të nivelit më të lartë. Pedagog i rrallë dhe njeri me parime të palëkundshme. Shquhej për virtyte njerëzore të qëndrueshme dhe për vlera etike të larta.

Nuk ka ndodhur mos ta ketë mbajtur qoftë edhe një orë të vetme mësimore. Nuk ka ndodhur të jetë vonuar në orën mësimore qoftë edhe një herë të vetme. Ishte maksimalisht efektiv gjatë realizimit të procesit mësimor. Nuk ka ndodhur qoftë edhe një herë të vetme të jetë ulur në karrige pranë katedrës. Gjithmonë në këmbë, i palodhshëm dhe në krye të detyrës. Nuk ka ndodhur të ketë ardhur qoftë edhe njëherë të vetme i papërgatitur në mësim. Nuk mbahet mend ta ketë humbur orën mësimore me tema jashtë-mësimore. Ishte sovran i punës së vet. I kushtonte rëndësi, sa procesit mësimor, po aq edhe procesit edukativ. Mbante rend dhe rregull, nuk na qortonte por na këshillonte, na sugjeronte dhe na udhëzonte. Përtej mësimit, na mësonte edhe për jetën, për peripecitë me të cilat njeriu, e në veçanti të rinjtë, mund të ballafaqohen gjatë jetës. Arsimdashës dhe iluminist që na mësoi Volterin dhe Rusoin. Na e citonte Naimin që kishte thënë: “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”.

Profesor Musai i dinte hallet e nxënësve, hallet e familjeve tona, gjendjen tonë ekonomike dhe sociale. I dinte hallet e popullit tonë. I dinte hallet e nxënësve të vet, bijë të prindërve hallexhinj. Ai veproi dhe punoi në kohë të vështira, në kohë të diskriminimit të popullit tonë, në kohë të të drejtave restriktive dhe të lirive të kufizuara. Megjithëkëtë, ai gjente mënyra, forma dhe metoda për t’i dalë zot punës së vet dhe për të qenë në krye të detyrës. Ai ishte më shumë se profesor, më shumë se pedagog. Ishte misionar dhe vizionar. Misioni i tij ishte ngritja dhe emancipimi i brezave. Ishte emancipuesi ynë shpirtëror. Duke qenë i tillë, ai ishte shkollë më vete, institucioni vetë. Na mësonte se si duhet të duket nxënësi, si duhet të sillet në familje, në shkollë dhe në vend publik. Në mbledhjet prindërore që i mbante, vinin të gjithë prindërit, rreth dyzet sish. Kishte rol emancipues edhe ndaj tyre. Ndaj nesh nxënësve kishte qëndrim human.

E ligjëronte në mënyrë tejet profesionale letërsinë tonë kombëtare, gjuhën tonë, historinë e gjuhës sonë, gjuhësinë indoevropiane. Rëndësi të veçantë, të jashtëzakonshme i kushtonte gramatikës së gjuhë shqipe. Për t’i kuptuar më mirë veprat letrare dhe për të depërtuar në kuintesencën e veprës artistike, i kushtonte rëndësi të veçantë teorisë së letërsie, historisë së letërsie dhe kritikës letrare. Për ta kuptuar krijimtarinë letrare artistike, e ligjëronte në hollësi stilistikën dhe metrikën. Ishin këto njësi mësimore dhe tema të rënda, por me një punë të kryer me përkushtim, ia dilnim të dalim në breg. Profesor Musai ishte pishtar i arsimit modern dhe i metodave bashkëkohore në procesin e mësimdhënies dhe të vlerësimit të njohurive të nxënësve.

I mësoi brezat se në epokën e madhe të Humanizmit dhe të Rilindjes evropiane, në qendër të studiuesve u vu njeriu. Me fjalë të tjera, na mësoi ta duam njeriun, të jemi të njerëzishëm dhe t’i flakim nga vetja vetitë e panjerëzishme. Ta flakim nga vetja urrejtjen ndaj tjetrit, të jemi solidarë dhe tolerantë.

Profesori ishte njeri i madh, ishte shqiptar i madh. Shqiptar i madh, në një kohë kur shqiptarët, sidomos të shkolluarit, ndiqeshin hap pas hapi prej shërbimeve sekrete jugosllave. Ishte kohë kur zbatohej i ashtuquajturi diferencim ideopolitik, kohë e thirrjes në biseda informative, e përjashtimeve nga puna. Ishte kohë kur të shpallnin nacionalist, irredentist dhe separatist. Mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve u thoshin se i indoktrinojnë nxënësit me ideologji shqiptaro-madhe, i edukojnë dhe i ushqejnë me ide kundër vëllazërim-bashkimit.

Si pasojë e politikës restriktive dhe diskriminuese, shumë nxënës mbeteshin jashtë bankave shkollore. Shumë prindër e pritnin Profesor Muasin në korridorin e shkollës. U duhej ndihma e tij për t’i regjistruar fëmijët e tyre shkollë. Ai ua merrte dokumentet, kërkonte dhe gjente mënyra për t’i regjistruar. Bënte të pamundurën, për t’i regjistruar sidomos nxënësit që vinin nga fshati, që vinin nga fshatrat e malësisë.

Prej këtij Mësuesi të madh, breza të tërë nxënësish mësuan për prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, për autoktoninë e shqiptarëve. Mësuan për periudhën e heroit tonë kombëtar, kryezotin e mesjetës, Gjergj Kastriotin. Mësuan për letërsinë e rilindësve por edhe për epokën e Rilindjes sonë kombëtare. Mësuan për Naimin dhe De Radën, për Konicën, Nolin dhe Fishtën, për Migjenin dhe Lasgushin, për Esat Mekulin e të tjerët. Mësuan për krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, për artin e madh kadarean, për një gjeneral, i cili, i shoqëruar nga një prift, kishte ardhur në malet hijerëndë të Arbërisë, për të mbledhur kocka ushtarësh të vrarë.

Ishte një kohë kur Homeri shqiptar, Fishta ishte i ndaluar. Por profesori ynë gjente hapësirë për të na e shpjeguar, për ta analizuar dhe për të na e mësuar poemën e tij “Lahutën e Malcis” të cilën ai e dinte përmendësh. Ishte një kohë kur nga Shqipëria nuk vinin libra, as literaturë. Ai na udhëzonte të pajisemi me libra në librarinë “Rilindja” të qytetit dhe mundësisht ta vizitonim panairin e librit në Prishtinë. Në bibliotekën e gjimnazit kishte pak vepra që na duheshin dhe që i parapëlqenim. Kishte vepra të Josip Brozit dhe të Kardelit për vetëqeverisjen dhe për partizanët jugosllavë.

Në saje të punës vetëmohuese, Profesor Musai synonte t’ua zgjonte nxënësve vetëdijen kombëtare dhe t’ua forconte ndërgjegjen kombëtare. Dhe ia doli. Kjo nuk ka qenë një punë e lehtë. Ky ka qenë mision edhe i kolegëve të tij të gjimnazit. Ka qenë synim i të gjithë mësuesve shqiptarë në trojet jashtë Shqipërisë.

Nga shkumësi i duarve të tij dolën breza të tërë nxënësish që morën arsimim universitar dhe që u vunë në shërbim të këtij populli.

Prej këtij mjeshtri të ligjërimit nxënësit mësuan për epokën homerike, për Sizifin dhe Prometeun e lidhur, për ferrin dantesk, donkishotizmin dhe Shekspirin që solli në skenë vdekjen, për Tartufin që e has në çdo kohë dhe në çdo vend, për Faustin i cili për asnjë kusht nuk iu shit Mefistofelit, për kirurgun e shpirtit rus, Dostojevskin, Raskollnikovin e të cilit e bënë vrasës, për monologun e brendshëm të Stivën Dedalusit, për teatrin beketian dhe Estargonin që pafundësisht priste Godonë, për ekzistencialistët dhe Mersonë që s’kishte qarë në varrimin e së ëmës, për plakun Santiago të Hemingueit që ia doli ta gjuante peshkun gjigant, por në breg nuk nxori veçse skeletin e tij. Prej këtij humanisti racional, si prej askujt tjetër, mësuam për poezinë bodleriane.

Ky mësues i madh, emblemë e arsimit shqiptar të këtyre anëve, iluminist idealist, shquhej mbi të gjitha për racionalizmin kartezian. Prej këtij mjeshtri të ligjërimit dhe misionari të papërsëritshëm, mësuam se asgjë nuk është jashtë arsyes.

Në çastin që mbylli sytë ky rilindës yni i fundit, sytë e Sharrit si dy lot të mëdhenj kishin ngrirë.

Prehu i qetë Mësues i Madh, në gjirin e tokës ilire!

Na Shkruani