Ushtria izraelite pretendon vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah

Ushtria izraelite pretendon se ka “likuiruar” liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një sulm ajror së fundmi në periferinë jugore të Bejrutit, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në platformën sociale X tha se Nasrallah është “likuiduar” gjatë një operacioni që shënjestroi komandën qendrore të Hezbollahut, që ndodhet nën një ndërtesë banimi në periferitë jugore të Bejrutit.

Adraee shpjegoi se sulmi ajror u krye me “inteligjencë të saktë nga agjencia e inteligjencës ushtarake”, duke shënjestruar një lokacion ku lidershipi i Hezbollahut thuhet se po koordinonte sulmet kundër Izraelit.

Ai shtoi se operacioni gjithashtu rezultoi në vdekjen e liderit të frontit jugor të Hezbollahut, Ali Karki, si dhe të disa komandantëve të tjerë të Hezbollahut.

Hezbollahu ende nuk ka konfirmuar mbi pretendimet izraelite.

Izraeli ka goditur Libanin që nga e hëna e kaluar, me sulmet që sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, kanë vrarë të paktën 700 njerëz dhe kanë plagosur afër 2.200 të tjerë.

Ministria libaneze gjithashtu tha se numri i të vdekurve në Liban që nga tetori i kaluar është 1.540.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ku janë vrarë të paktën 41.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e kthimit të konfliktit të Gazës në një luftë rajonale.

BejrutiIzraeli