Ursula Von Der Leyen emëroi drejtuesit e rinj të Komisionit Evropian

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen emëroi të martën ekipin e saj të ri, i cili do të drejtojë institucionet më të rëndësishme evropiane për 5 vitet e ardhshme. Çështjet kryesore që do të përqendrohet Komisioni janë ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë dhe forcimi i Kinës, raporton Zëri i Amerikës.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen emëroi disa gra në postet më të larta të institucionit ekzekutiv të BE-së, pavarësisht ngurrimit të vendeve anëtare të bllokut për të pranuar kërkesën e saj për barazi gjinore. 6 nga 8 prej pozicioneve më të larta të Komisionit Evropian do të udhëhiqen nga gratë.

“Kam punuar me vendet anëtare dhe arritëm të përmirësojmë përfaqësimin duke e çuar në 40 për qind gra dhe 60 për qind burra. Megjithatë, kjo tregon se pavarësisht nga sa kemi arritur, ka ende punë për të bërë”, tha zonja Von Der Leyen në një konferencë për shtypin.

Krerët e qeverive kishin rënë me herët dakord për pozicionin e saj si Presidente të KE-së dhe të ish kryeministres së Estonisë Kaja Kallas, si shefe e politikës së jashtme.

Kandidatja nga Sllovenia Marta Kos është emëruar si Komisionere e re për Zgjerimin, në vend të hungarezit Olivér Várhely.

Zonja Von der Lyen tha se ajo do të jetë përgjegjëse për të mbështetur vendet kandidate për t’u përgatitur për anëtarësim në BE, si edhe do të punojë në mbështetje të Ukrainës, përfshirë rindërtimin e vendit.

Ish-kryeministri i Lituanisë Andrius Kubilius do të jetë komisionari i parë i Bashkimit Evropian për Mbrojtjen, një post i ri i krijuar për të forcuar kapacitetet prodhuese ushtarake të bllokut përballë agresionit rus ndaj Ukrainës.

Ministrja spanjolle e Energjisë dhe Mjedisit Teresa Rinera do të jete komisionerja e re për konkurrencën.

Secili nga 27 vendet anëtare do të ketë një komisioner në tryezën e qeverisë së bllokut evropian, edhe pse pesha politike varet shumë nga komisioni që drejtojnë.

“Rreth 20 vende anëtare donin një portofol të fortë ekonomik dhe ne nuk kemi aq komisione të tilla. Po ashtu, duhet të mbajmë parasysh edhe balancën gjeografike dhe përkatësitë e tyre politike, prandaj nuk është e lehtë ndërtimi i ekipit të ri”, tha ajo.

Ndryshimet klimatike janë arsye për shumë prej masave që po ndërmarrim”, tha zonja Von Der Leyen, por krahasuar me mandatin e parë, “çështje si siguria dhe konkurrenca, kanë pasur më shumë ndikim në përbërjen e re të udhëheqjes së Komisionit”.

Komisioni Evropian ka fuqinë të propozojë ligje të reja për Bashkimin Europian, të bllokojë bashkimin e kompanive dhe të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë.

Të 27 komisionarët e propozuar sot nga zonja Von Der leyen do t’i nënshtrohen seancave dëgjimore në Parlamentin Evropian i cili ka fuqinë të bëjë konfirmimin e tyre.

Të gjithë komisionarët raportojnë tek konservatorja gjermane Von Der leyene, e cila këtë verë siguroi një mandat të dytë si Presidente e Komisionit Evropian.

Komisioni i ri pritet të marrë detyrën në fund të këtij viti, çka do të thotë se rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të jetë një nga çështjet kryesore që do duhet të trajtojë.

Bashkimi Evropian (BE)EvropaKomisioni Evropian (KE)Ursulla fon der Llajen (Ursula von der Leyen)