Urime për Pavarësinë e Kosovës: Kujtohen sakrificat për liri dhe sfidat e së ardhmes

Me rastin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës urime kanë ardhur nga liderë dhe personalitete nga mbarë vendi, rajoni dhe bota, transmeton Portalb.mk

Me rastin e Pavarësisë Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje festive. Për këtë ditë kanë uruar politikanët nga mbarë bota, më poshtë i përcjellim urimet e tyre. 

  • Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

Urime 17 vjetori i Pavarësisë. Është një ditë kur kujtojmë sakrificën shekullore që e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur i festojmë sukseset që i ka arritur Republika jonë, duke forcuar sovranitetin, duke forcuar shtetësinë e subjektivitetin ndërkombëtar. Por, është po ashtu një ditë kur iu themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm, për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka që ne sot ta festojmë këtë ditë, duke filluar nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik Rugova dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri te secili qytetar i Republikës sonë që sakrifikoi me mund e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë. 

  • Albin Kurti, kryeministër i Kosovës 

Dimër i ftohtë por zemrat e ngrohta, teksa urojmë njëri-tjetrin për 17-vjetorin e 17 Shkurtit, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si shtet sovran, demokratik, me integritet territorial, me progres social, me avancim demokratik dhe me rritje shembullore ekonomike.Në të njëjtën kohë jemi edhe shembull për siguri jo vetëm në rajonin e Ballkanit, kur kemi parasysh të drejtat e qytetarëve, mirëqenien e tyre, entuziazmin popullor dhe sukseset e Republikës sonë, që janë suksese të popullit, të institucioneve, po edhe të partnerëve, miqve, aleatëve tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës te Bashkimi Evropian dhe mbarë perëndimi demokratik. Padyshim që mund të jemi krenarë që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve e veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve, të cilët qëndruan në kohë të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë të mira. Gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës! Urime Dita e Pavarësisë! 

  • Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës 

Kosova shtet, Republikë, është arritja më e madhe e jona. Është shpagim i përpjekjes së gjeneratave të tëra për çlirim e pavarësim; është mburojë e garantuar për të gjithë ata që vijnë. 

Në këtë ditë nderojmë Atin Themeltar të kësaj Republike, Presidentitn Dr. Ibrahim Rugova prirja e së cilit – në orët tona më të rënda – dha dritë. Sot nderojmë gjithë luftëtarët, martirët e dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare, nderojmë Familjen Jashari, sakrifica e të cilëve na qëndron si gurëthemel i vet lirisë. Nderojmë aleatët tanë, ata që bënë luftën me ne, bënë paqen me ne! 

Në këtë përvjetor të 17-të, le të kujtojmë se dashurinë për pavarësi e shtet s’mund ta zhbëjë përplasja jonë e brendshme. Përplasja është e përkohshme, atdheu ynë është i përhershëm. Ky atdhe na thërret të vazhdojmë rrugëtimin secilën ditë! 

  • Bajram Begaj, president i Shqipërisë 

Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar! 

  • Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë 

Mirëmëngjesi Kosovë. Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë. 

  • Elisa Spiropalli, kryeparlamentare e Shqipërisë 

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!

  • Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i RMV-së 

këtë ditë të shënuar për Kosovën, kujtojmë sakrificën, qëndresën dhe krenarinë e një populli që për asnjë moment nuk u ndal në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Gëzuar këtë ditë të madhe për kombin tonë, me dashuri dhe respekt për vëllezërit dhe motrat tona kudo që janë! 

  • Afrim Gashi, kryeparlamentar i RMV-së 

Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës shpreh festën e çdo shqiptari, duke shënuar një rrugëtim të mundimshëm, por triumfues, drejt lirisë dhe pavarësisë. Si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e shfrytëzoj këtë mundësi për ta theksuar partneritetin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve tona. Ndërtimi i shtetit të suskesshëm demokratik dhe integrimi i Kosovës janë betejat paqësore që qytetari kosovar meriton t’i fitojë! Urime 17 Shkurti i Pavarësisë së Kosovës! 

  • Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë në RMV 

Gëzuar Kosovë! 17 vjet e përjetë! 

  • Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim 

Pavarësia e Kosovës është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar, i cili, me përpjekjet ndër breza, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me jetët e mijëra dëshmorëve dhe martirëve, arriti të realizojë ëndrrën e tij për liri dhe pavarësi. Ky proces i lavdishëm ka qenë i mundur gjithashtu falë mbështetjes së palodhur të aleatëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës… Uroj që shumë shpejt, përvjetorin e Pavarësisë, Kosova ta festojë si anëtare e NATO-s dhe pjesë e familjes së madhe evropiane. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, dhe shëndet, suksese dhe prosperitet për Kosovën dhe qytetarët e saj! 

  • Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa 

Gëzuar Pavarësinë Kosovë. Sot festojmë një nga momentet më të rëndësishme të kombit tonë, ditën kur Kosova u bë e lirë, e pavarur dhe krenare! Kjo pavarësi nuk u fitua lehtë, por me sakrificën e shumë brezave që ëndërruan një Kosovë sovrane dhe të lirë. Nga Tetova, qyteti që gjithmonë ka qenë pranë Kosovës në çdo hap të saj, ndajmë jo vetëm histori të përbashkët, por edhe një të ardhme që do ta ndërtojmë bashkë, me më shumë bashkëpunim, zhvillim dhe përparim! Gëzuar 17 Shkurtin!6 

  • Marko Rubio, sekretar amerikan i Shtetit 

Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës. 

  • Frank-Walter Sreinmeier, president i Gjermanisë 

Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë. 

  • Emmanuel Macron, president i Francës 

Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet.

  • Charles III, mbret i Britanisë 

Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë. 

Kujtojmë që Kosova pavarësinë e shpalli më 17 shkurt 2008. Por, 17 vjet më vonë ky shtet është në harresë diplomatike, edhe pse e njohur nga shumë shtete (117), vazhdon të mbetet jashtë disa prej organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. 

Ndërkaq monumenti simbol i Pavarësisë së Kosovës i cili gjendet në qendër të Prishtinës “NEWBORN” ka marrë dukje të re, këtë vit koncepti reflekton fuqinë dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në shoqëri. 

KosovaPavarësia e Kosovës