Rusia nisi një sulm të ri raketor në Ukrainë në ditën kur shënon përvjetorin e fitores së saj mbi Gjermaninë naziste në 1945, me ushtrinë ukrainase që tha se rrëzoi 23 nga 25 raketat e lëshuara, kryesisht të drejtuara në Kiev. Sulmi, i pesti i këtij muaji, erdhi një ditë pasi Rusia kreu sulmin e saj më të madh me dron, duke vrarë të paktën një civil, transmeton Portalb.mk.
Rusia rinovoi fushatën e saj ajrore kundër Ukrainës para dhjetra ditësh, pas një qetësie relative që nga marsi.
Autoritetet thanë se nuk pati viktima në sulmin e sotëm dhe u shkaktuan pak dëme. Raketat besohet se janë lëshuar nga katër bombardues nga rajoni i Detit Kaspik.
“Si në front, planet e agresorit kanë dështuar,” tha Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.
Sot, Rusia feston Ditën e fitores, një nga festat më të rëndësishme të vendit, kur mijëra njerëz ndjekin paradën ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës, e cila është planifikuar të fillojë në orën nëntë me kohën e Maqedonisë.