Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM) mbetet në vendin e 1.990 në listën e 2.000 universiteteve më të mira në botë për vitin 2024, që u publikua sot nga Qendra për Rangimin e Universiteteve Botërore (CWUR), raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për një rang listë të cilën CWUR e publikon për çdo vit, ndërsa gjatë rangimit universitetet dhe kolegjet i vlerëson sipas katër faktorëve: arsimi, mundësitë për punësim, mësimdhënia dhe hulumtimi.
Këtë vit janë ranguar gjithsej 20.966 institucione të arsimit të lartë, gjë që e bën këtë listë rangimin më të madh akademik të universiteteve në botë. Nga të gjitha institucionet në listën përfundimtare u ranguan 2.000 më të mirët.
UKM-ja është universiteti i vetëm në Maqedoni që bën pjesë në rangimin e CWUR, ndërsa edhe këtë vit ndodhet në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar. Krahasuar me rangimet e mëparshme, UKM-ja shënoi një rënie prej 26 vendesh krahasuar me vitin 2022 kur ndodhej në vendin e 1.964-të. Nëse krahasohet me vitin 2021, atëherë rënia është për 46 vende. Për pesë vjet (nga viti 2019), UKM-ja në listën e CWUR ka shënuar një rënie për 174 vende.
Rënia e vazhdueshme disavjeçare e universitetit më të madh në Maqedoni më në fund ka ndaluar këtë vit, por nëse kjo rënie vazhdon, atëherë UKM-ja mund të zhduket plotësisht nga lista e 2.000 universiteteve më të mira në botë.
Ku gjenden universitetet e rajonit?
Nga vendet fqinje Serbia edhe këtë vit ka katër institucione të arsimit të lartë në mesin e universiteteve më të mira në botë. Nga ato më së miri është ranguar Universiteti i Beogradit, i cili është në vendin e 376, që krahasuar me vitin e kaluar ka shënuar një rënie prej 14 pozitash. Në këtë listë janë edhe universitetet në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish.
Nga Bullgaria janë ranguar dy universitete (Universiteti i Sofjes në vendin e 1.020 dhe Universiteti i Mjekësisë në Sofje në vendin e 1.468).
Greqia edhe këtë vit ka 12 universitete në këtë listë, ndërsa nga Kroacia në rangimin e CWUR u gjetën 4 institucione të arsimit të lartë.
Në këtë listë edhe këtë vit nuk u gjend as edhe një universitet i vetëm nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Sipas listës CWUR pesë universitetet më mirë të ranguara në botë janë universitetet e Harvardit, MIT, Stanford (nga SHBA), Kembrixhit dhe Oksfordit (nga Britania e Madhe).
Në fakt SHBA dominon në listën e CWUR me tetë përfaqësues të saj në dhjetë universitetet më të mira dhe është vendi më i përfaqësuar me 329 universitete.
Numri i universiteteve kineze në 2.000 universitetet e para është 324, pastaj vjen Japonia me 110 institucione.
Qendra për Rangimin e Universiteteve Botërore përshkruhet si një organizatë lidere për konsulencë, e cila u ofron qeverive dhe universiteteve këshilla për politikat dhe shërbime konsulence për ta përmirësuar arsimin dhe hulumtimin.
Dhe përderisa në lista të ndryshme është i ranguar në pozicione të ndryshme, UKM-ja asesi të arrijë të jetë në listën e Shangait.
Kryeministri i ri i mundshëm, Hristijan Mickoski, partia e të cilit fitoi në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, gjatë periudhës parazgjedhore tha se qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që një universitet nga Maqedonia të jetë “në mijëshen e parë të listës së Shangait” dhe me këtë të rritet cilësia e arsimit të lartë në vend.
Ky qëllim me sa duket do jetë i vështirë për t’u arritur. Asnjë universitet nga Maqedonia nuk ka qenë ndonjëherë në listën e Shangait, e cila konsiderohet si renditja akademike më e rëndësishme e universiteteve në botë.