UDB-ashët shqipfolës për Teki Dërvishin

Udha e krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni qe më e vështirë se ajo e viseve të tjera shqiptare. Ajo u nis nga hiçi dhe u pengua me të gjithë mekanizmat e mundshëm të pushteteve totalitare, që nuk e ndalën kurrë mekamin e ndrydhjes së vullneteve tona, shpëlarjen e trurit, zhveshjen sistematike nga tiparet e racës, shndërrimin e shqiptarëve në turma amorfe pa asnjë vetëdije, në rajë të pakujtesë, në masë injorante e të paqytetëruar, në robër lehtësisht të nëpërkëmbshëm, për të cilët vlerat shpirtërore qenë gjërat e fundit ku mund t’u shkonte mendja.

Në këtë gjendje të mjerueshme i gjeti shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më 1945, në të cilën derdhën shumë gjak, po nuk fituan lirinë dhe të drejtat që u takonin. Qe kjo koha e paraqitjes në skenën letrare të një numri të vogël krijuesish letrarë që, falë altruizmit emblematik të Esad Mekulit, nisën të shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe. Pas tyre në skenën letrare erdhi një brez tjetër artistësh, më i fortë se i pari, mes të cilëve u gjend dhe Teki Dërvishi (1943-2011) nga Gjakova – autori i përndjekur nga UDB-ashët jugosllavë që nga mosha miturake.

Në vitet e mëvonshme, kur përndjekja dhe persekutimet u bënë të padurueshme, Tekiu u detyrua të shpërngulet nga vendlindja dhe të vendoset në Shkup, ku nisi punën si gazetar në “Flakën e Vëllazërimit”. Por edhe këtu nisën ta ndjekin langarët e Udbës, disa prej të cilëve i pati kolegë pune.

Po ndalemi pak te figura e tij e portretuar si është më zi nga autorët e raporteve të dosjes qindrafaqëshe policore, e cila hapet me bëmat gjoja armiqësore të Tekiut, që armë të vetme kishte fjalën e shkruar:

Si nxënës i shkollës fillore Teki Dërvishi shkroi poezi me pëtrmbajtje nacionaliste dhe shoviniste, ndaj u dënua me uljen e notës për sjelljen e tij jo të mirë.

Në gjimnazin e Gjakovës vazhdoi shkrimet me përkrahjen e profesorëve Avni Luma dhe Kadri Kusari, i ndikuar edhe nga veprat me përmbajtje armiqësore të Gjergj Fishtës.

Në vitin shkollor 1963-64, kur ishte gjimnazist në Pejë, u njoh me ish të burgosurin politik Ramadan Shalën, nëpërmjet të cilit u bë anëtar i një organizate armiqësore dhe drejtues i një grupi  të formuar në Gjakovë. Për këtë aktivitet armiqësor, më 8 gusht të vitit 1964 u dënua me 3 vjet burg.

Në vitin 1971 shkroi sonetin kushtuar të burgosurit të ndjerë politik Hilmi Rakovicit, nga i cili po shkëpusim vetëm strofën e dytë:

Ti agimin pret, por toka diellin t’mbulon

Tani terron në rrah ku çelin trandafilet

E terri yt me dritë ka zënë po na verbon

Kopshti yt nga këmba e huaj po t’shkilet

Në vijim do të lexoni copëzat e raporteve të dy punonjësve operativë të UDB-së, njëri bashkëvendës i Tekiut nga Gjakova, kurse tjetri koleg gazetar në “Flakën e Vëllazërimit”, nga një fshat i Tetovës.

Në raportin e shkruar maqedonisht më 12 qershor të vitit 1971 nga kolegu shqiptar i Tekiut, thuhet:

Para do ditësh vërejta krejt rastësisht duke shkruar me makinë Teki Dërvishin. Arrita ta shoh titullin e shkrimit që ishte “Zoti Ministër”. Më vonë konstatova se bëhet fjalë për letër anonime, që kishte për qëllim ta dërgojë në Kosmet, si revoltë ndaj disa personaliteteve që drejtonin gazeta në Kosmet, të cilët, në një tubim gazetarësh, e kritikuan Tekiun për disa artikuj të tij. Kur Teki Dërvishi e vërejti se unë shkova shpejt pranë tij, e hoqi fletën nga makina dhe u përpoq ta fshehë që mos ta kuptoj se çfarë shkruan. Gjatë kësaj njëkohësisht përpiqej të lë përshtypjen se nuk fsheh gjë prej meje. Megjithatë unë e pyeta: çfarë je duke shkruar dhe me çfarë ka të bëjë shkrimi? Mora përgjigje se kjo s’është me rëndësi dhe se kjo është punë e tij.

Në fund, spiuni i thotë padronit: Ai ruhet prej meje dhe mua më sheh me shumë mosbesim. Këtë po ta them që ta dish se, nëse në Kosmet paraqitet një dërgesë anonime me titullin e njëjtë, ta dish se autori është Teki Dërvishi…

I ngjashëm me të parin është dhe raporti i gjakovarit (31.10.1973),i cili me një shqipe çatrafile  njofton eprorët e UDB-së se: Teki Dërvishi është shumë tue u marë me shkrime. Ka botuar përmbledhjen e vjershave “I varuri për dru të verdhë”, mandej romanet “Etje dhe borë” dhe “Pirgu i lartë”, roman fejtonik që është botuar në faqet e Flakës. Në të trajtohen deformimet ekstreme shoqërore në periodën para Plenumit të IV. Përshkruhen në mënyrë flagërante sidomos drejtorët, shefat etj., ku spikaten sjelljet e tyre diskriminuese ndaj nëpunësve të thjeshtë dhe punëtorëve, një prej të cilëve sillet në aktin e vetëvrasjes së personazhit. Këtë vepër është përpjekë ta botojë në Rilindje, por nuk ka pas sukses, mirëpo këtë e ka arritë në Flakë, ku ka krijua baza të forta. Shkruan shumë në mënyra alegorike, çka mund ta kuptojë vetëm lexuesi i mençur.

Në Gjakovë ka një grup njerëzish të krijuar rreth veti, gjoja me tendencë letrare. Me ta kontekton dhe i fton që për çështje të botimeve të shkojnë në Shkup, gjegjësisht në redaksi të Flakës.

Mjaftë rrallë vjen në shtëpi-Gjakovë. Zakonisht kët e bën në orët e vona të mbrëmjes e kthehet herët për në Shkup.Vin me dy kerre (me një shok që ka fiat ngjyrë hiri) dhe vetë më Shkodë. Nganjëherë edhe unë takohem me te. Jemi shokë dhe na lidh çështja e shkrimit, se edhe unë mirrem me to. Mirëpo në bisedë është mjaft i matur dhe i rezervuar. Nuk lëshohet në diskutime të gjëra.

Do të jemi në kontakt me lidhjen operative e cila është udhëzuar si të punoi dhe të lajmëroi Shërbimin për çdo gjë interesante.

Pisllëqet e këtilla janë të panumërta në dosjen e Teki Dërvishit, për mua shkrimtarit më të veçantë të letërsisë sonë, i cili në intervistën e bërë gjatë viteve kur e botoja revistën BREZI 9, insistimit tim për të folur diçka për Tekiun e postdiktaturës, iu përgjigj:

“Diktaturat nuk bien me përmbysjen e sistemit të tyre. Përmbyset sistemi, ne themi “diktatura”, sistemi ishte totalitar, por me përmbysjen e diktaturës, menjëherë nuk vdesin, as nuk eliminohen njerëzit që e kanë mbajtur dhe krijuar sistemin e diktaturës. Mbase përmbysen ideatorët dhe kreatorët e sistemit, figurat pozicionale politike të sistemit, por vetëm qeveritarët dhe pushtetarët e sistemit janë një grusht i vogël i aparatit shtetëror. Aparati i pushtetit diktatorial është i përhapur në tërë shoqërinë, si oktopod, si bari i keq që kaplon edhe tokat djerrina. Kështu që rënia e sistemit të diktaturës komuniste mund të konstatohet si “rënie” vetëm atëherë kur eliminohet në mënyrë evolutive edhe vetë’dija e masave të indoktrinuara nga sistemi i diktaturës. Ju thoni se kam qenë i përndjekur në kohën e diktaturës, jo! Në atë kohë kam qenë i mënjanuar dhe i censuruar deri në atë shkallë sa të mos mund të jem i rrezikshëm për sistemin, prandaj edhe nuk kam qenë as i rrezikshëm, as ndonjë shkrimtar disident. Përndjekja ka filluar pasi u rrëzua sistemi, në kohën e tij të konvertimit të rrejshëm, kur vetëdija komuniste vepronte, e vepron ende, me metodën staliniste të eliminimit të çdo gjëje që është “kundër nesh”. Derisa në kohën e sistemit diktatorial-komunist vetëm më kanë mënjanuar, në kohën e sistemir “plural-ist’ të promovimit të “sistemeve” pa pushtet demokratik, më kanë organizuar fushata të turpshme dhe më kanë bërë anatema të dhembshme, që zgjasin deri në ditët e sotme, kur shtypi i konvertitëve demokratë ende boton pa pushuar shkrime kundër meje, madje duke i falsifikuar “qëndrimet” (etike, a politike) e shkrimeve të mia, duke mos më cituar fare, por duke e përmendur vetëm emrin tim si “subjekt” “polemizues!”, duke polemizuar me mua për diçka që nuk mund të vërtetohet se e kam shkruar. Pas sistemit diktatorial, pasoi sistemi i anarkisë dhe kohës kur as censura staliniste nuk mund ta rrudhë gojën e kriminelëve dhe analfabetëve, tradhtarëve dhe imbecilëve të ndryshëm, të cilët sistemi i diktaturës së përmbysur i ka krijuar, mbaruar si koniunkturë për nevojat e shtetit”.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit
Comments (0)
Add Comment