U sulmuan gazetarët në Bërvenicë, reagoi SHGM-ja (VIDEO)

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve që po kryenin punën e tyre në lidhje me problematikën e zjarrit në Bërvenicë, si një burim ndotës i qytetit të Tetovës, transmeton Portalb.mk.

“Ekipi ka mbërritur në vendin ku është dashur të filmojë video insertet dhe pas disa minutash xhirime është shfaqur një person me rroba civile i cili është sjellë në mënyrë agresive dhe me të bërtitura, fyerje dhe kërcënime i ka ndaluar të filmojnë. Ai gjithashtu është përpjekur t’i largojë ata nga vendi i ngjarjes”, deklarojnë nga SHGM-ja.

Shoqata theksoi që i njëjti problem është shfaqur sot nga disa gazetarë dhe punonjës mediatik, të cilët u penguan të kryejnë punën e tyre në hapësirë publike.

“Gjatë ditës së sotme, ekipe televizive të disa mediave dhe korrespondentë nga rajoni i Pollogut tentuan të regjistrojnë sërish video nga vendi i ngjarjes, por sërish i njëjti person me një ton agresiv dhe të ashpër iu drejtua gazetarëve, madje edhe i kërcënoi fizikisht pavarësisht pranisë së policisë”, sqarojnë nga SHGM-ja, duke kërkuar reagim nga Komuna e Bërvenicës dhe Policia.

Ndryshe, sot TV 21 ka publikuar një video ku vërehet si një qytetar kërcënon gazetarët e televizionit 21 në momentin që po tentonin të merrnin pamje nga vendi i ngjarjes.

BervenicaDeponi ilegaleEkologjiKomuna e BervenicësNdotja e ajrit - ajër i ndoturTaksa ekologjikeTetova