Takimi mes Iranit dhe fuqive të tjera të Gjirit për zgjidhjen e problemit në Gjirin e Hormuzit është shtyrë, ndërsa sulmet pranë dy rrugëve më të rëndësishme për transportin e naftës në rajon kanë rritur shqetësimet për furnizimin global me energji, raporton Reuters.
Çmimet e naftës u rritën me më shumë se 3% të hënën, pasi sulmet e Huthëve ndaj eksportuesit më të madh në botë, Arabisë Saudite, gjatë fundjavës detyruan mbylljen e një naftësjellësi kyç lindje-perëndim, të gjatë 1.200 kilometra, ndërsa sulmet iraniane ndaj anijeve në Gjirin Persik shtuan më tej shqetësimet për furnizimin.
Shpresat për përparim diplomatik në të ardhmen e afërt u zbehën pasi ministri i Jashtëm i Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, njoftoi të dielën vonë se takimi rajonal i planifikuar për të hënën është shtyrë në interes të arritjes së konsensusit.
Përfaqësuesit iranianë kishin deklaruar më herët se do të merrnin pjesë në këtë takim me shtetet arabe të Gjirit për të paraqitur një marrëveshje me Omanin për menaxhimin e rrugëve detare përmes Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën para luftës transportohej rreth një e pesta e rezervave globale të naftës.
Agjencia iraniane e lajmeve „Fars“ citoi një zyrtar të Ministrisë së Jashtme iraniane, i cili tha se takimi në Oman ishte shtyrë me kërkesë të disa vendeve të rajonit, ndërsa vendimi ishte marrë bashkërisht nga Teherani dhe Muscati. Zyrtari tha se Irani do të koordinohet me Omanin për të përcaktuar një datë të përshtatshme për mbajtjen e takimit.
Shtyrja erdhi menjëherë pas vendimit të Arabisë Saudite për të mbyllur, të paktën për momentin, naftësjellësin e saj që shërbente si rrugë kryesore për transportin e naftës nga Lindja e Mesme, duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, ngushtica vazhdoi të paraqiste rrezik për transportin e naftës. Agjencia britanike për sigurinë detare UKMTO njoftoi të dielën se një anije ishte goditur nga një raketë ndërsa kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar zjarr dhe detyruar ekuipazhin të evakuohej.
Irani, nga ana tjetër, njoftoi se një person kishte humbur jetën dhe katër anëtarë të ekuipazhit ishin plagosur në një anije tregtare iraniane të goditur pranë brigjeve të tij.
Numri i anijeve që transportojnë mallra dhe kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit ra në një shifër njëshifrore në ditë gjatë fundjavës, treguan të dhënat paraprake të gjurmimit të anijeve të hënën, dukshëm nën mesataren dhjetëditore prej 14 anijesh.
Këto shifra nuk përfshijnë anijet që mund ta kenë kaluar ngushticën me transponderët e sistemit të identifikimit automatik (AIS) të fikur për të shmangur zbulimin. Javën e kaluar, çmimet e naftës për herë të parë që nga korriku tejkaluan 100 dollarë për fuçi. Çmimi me pakicë i naftës dizel në SHBA – një çështje politikisht e ndjeshme – të dielën arriti një nivel të ri rekord, duke kaluar 6,20 dollarë për gallon.
Tregtarët dhe blerësit e naftës saudite i thanë „Reuters“ të dielën se Riadi ka rezerva të mjaftueshme nafte në portin Yanbu në Detin e Kuq për të vazhduar eksportet vetëm edhe pesë deri në shtatë ditë, nëse naftësjellësi i goditur të premten mbetet i mbyllur.
Pas kësaj, mund të rrezikohen deri në 4% e furnizimit global me naftë, përveç miliona fuçive në ditë që tashmë janë humbur për shkak të ndërprerjes së trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit.
Arabia Saudite nuk ka dhënë detaje të plota për shkallën e dëmit në naftësjellës, e as për kohën se sa do të qëndrojë jashtë funksionit. Burimet që folën për „Reuters“ dhanë vlerësime të ndryshme për kohën e nevojshme për riparimin, nga disa ditë deri në disa javë. Imazhet satelitore treguan kolona të mëdha tymi nga lokacione përgjatë trasesë së naftësjellësit.
Çmimet e naftës sot u rritën me më shumë se 3%, pasi sulmet e reja të Huthëve ndaj Arabisë Saudite dhe sulmet iraniane ndaj anijeve në Gjirin Persik shtuan frikën për furnizimin, duke iu bashkuar mbylljes së një naftësjellësi kyç saudit.
Kontratat e së ardhmes për naftën e papërpunuar të llojit „Brent“ u rritën me 3,21 dollarë, ose 3,1%, duke arritur në 107,82 dollarë për fuçi. Kontratat e së ardhmes për naftën WTI u rritën me 3,17 dollarë, ose 3,2%, duke arritur në 103,22 dollarë për fuçi.
„Kjo vjen pas shtimit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Arabisë Saudite, përfshirë sulmet ndaj naftësjellësit kyç që shtrihet nga lindja në perëndim“, deklaruan strategët e mallrave të bankës ING, duke theksuar se ende nuk është e qartë se sa është dëmi i mundshëm apo sa gjatë do të jetë naftësjellësi jashtë funksionit.