U raportuan për disa probleme gjatë procesit të votimit në Kosovë

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka raportuar për disa probleme gjatë procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare, raporton Radio Evropa e Lirë.

Eugen Cakolli nga DnV tha se votuesit kanë deklaruar se ngjyra matrikuluese po fshihet lehtësisht nga gishtërinjtë e tyre dhe kjo çështje sipas tij mund t’i japë rrugë votimit të dyfishtë.

Një gjë e tillë, sipas Cakollit, “do minonte besimin e publikut, por edhe integritetin zgjedhor”.

Në konferencën për media, Cakolli tha se ka disa mekanizma që sigurohet që votuesit të mos votojnë dy herë, por theksoi se “problemi te fakti fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese mund të krijojë perceptim qytetarë procesi nuk ka qenë i rregullt dhe mund të ketë pasur raste të tilla”.

DnV-ja ditë më parë kishte reaguar për çështjen e ngjyrës matrikuluese, duke thënë se kjo ngjyrë nuk plotëson standardet e kërkuara, pasi po qëndron për një kohë të shkurtër në gisht dhe më pas e njëjta fshihet me lehtësi.

KQZ-ja në dy konferencat e mbajtura deri më tani nuk ka adresuar problemin e ngritur nga vëzhguesit sa i përket ngjyrës matrikuluese.

Gjatë konferencës, DnV-ja tha se ka vërejtur edhe probleme të tjera gjatë procesit zgjedhor, që tha se nuk dëmtojnë integritetin e zgjedhje.

Problemi më i theksuar gjatë procesit të votimit deri në mesditë, sipas Cakollit është mosgjetja e emrave të votuesve në listat e votuesve.

DnV ka 500 vëzhgues në mbarë vendin dhe Cakolli tha se janë vërejtur edhe probleme kur nuk është regjistruar që një votuesit i është ofruar asistencë me votim.

Po ashtu, ndonëse në një nivel dukshëm më të vogël, Cakolli tha se edhe në këto zgjedhje fenomeni i fotografimit të votës është prezent dhe thanë se raste të izoluara të fotografimit të votave janë regjistruar në 4 për qind të vendvotimeve.

Cakolli po ashtu u shpreh kritik për çështjen e vendosjes së kabinave të votimit. Ai tha se në mëngjes kabinat u vendosën sipas rregullave, por vëzhguesit më pas kanë hasur në raste kur persona të identifikuar si staf i KQZ-së kanë kërkuar që kabinat të vendosen përballë njëra-tjetrës, që sipas tij përbën shkelje të privatësisë.

DnV po vëzhgon zgjedhjet me 500 vëzhgues. Procesi është duke u monitoruar edhe nga Bashkimi Evropian.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që organizohen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Të drejtë vote, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë mbi 2 milionë qytetarë.

Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.

KosovaParlamenti – Kuvendi i KosovësQeveria e KosovësZgjedhje në Kosovë