U parandalua eksportimi ilegal i 63 qengjave nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri

Është parandaluar eksporti i paligjshëm i 63 qengjave që duhej të përfundonin në Shqipëri nga Maqedonia, njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton Portalb.mk.

Në një aksion të koordinuar me inspektorët e MPB-së, automjeti me të cilin janë transportuar qengjat është ndalur nga punonjës të policisë në Strugë dhe pas kontrollit të kryer nga inspektorët e AUV-së është konstatuar se janë 63 qengja që ishin të paidentifikuara sipas Ligjit për Identifikimin dhe Regjistrimin e Kafshëve. Transportuesi nuk kishte as certifikata për gjendjen shëndetësore të kafshëve.

“Sipas deklaratës së transportuesit, kafshët janë me origjinë nga një vendbanim në Prilep”, thonë nga AUV.

Sipas Ligjit për Mbikëqyrjen Inspektuese, qengjat i janë sekuestruar personit që i ka transportuar dhe i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Ndaj transportuesit për lëvizjen e kafshëve të paidentifikuara do të ngrihet sanksion kundërvajtës.

Kujtojmë se disa ditë më parë, ekipi mobil i Drejtorisë doganore ka parandaluar kontrabandimin e dy tonëve mish të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve, njoftoi Drejtoria. Transportuesi, por edhe pronari i mjetit transportues, nuk e ka deklaruar mishin me deklaratë doganore dhe as certifikatë veterinare.

Agjencia për Ushqim dhe VeterinariEksportKafshë