U nda nga jeta shkrimtari me renome botërore, Ismail Kadare

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari i njohur botërisht, Ismail Kadare, transmeton Portalb.mk.

Familjarët e gjetën të pajetë në banesën e tij në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ata thirrën urgjencën, por nuk mundën të ndihmonin kolosin e letrave shqipe.

Kadare ka lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936. Ai është njohur jo vetëm si shkrimtar, por edhe akademik, politikan. Ka qenë ish-deputet i Kuvendit Popullor, zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Redaksia Portalb.mk, i shpreh ngushëllime familjes Kadare!

Ismail KadareVdekje