Me 12 Tetor, 2025, ndërroi jetë Doktor Namik Riveni (25.10.1946-12.10.2025) specialist i mjekësisë së përgjithshme nga Ohri, me prejardhje nga familja e Iljaz Pashë Dibrës dhe e asaj të Vrionasve. Ka qenë stërnip i Iljaz Pashë Dibrës, drejtues të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, dhe kushëri i Hamdi Bej Ohrit (firmëtar i aktit të pavarësisë), shkruan Portalb.mk.
Ka lindur me 1946, në Tiranë për shkak të vizitës së familjes atje te gjyshja Ajet Hanëm Vrioni. Shpejt pas lindjes familja kthehet në Ohër, ku e kanë pasur vendbanimin me gjenerata më parë. Doktor Namik Riveni, ka punuar si mjek specialist nëpër ambulanta dhe spitale të ndryshme në Ohër, me shumë pacientë nga Ohri e rrethina, si dhe ka qenë drejtor i Entit për Mbrojtjen e Shëndetësisë.
Me karakterin e tij njerëzor, që pasqyronte intelektin e jashtëzakonshëm dhe shumanshëm dhe me kujdesin e veçantë ndaj të tjerëve, ai la një mbresë të pashlyeshme dhe inspirim tek të gjithë ata që e njohën.
Si mjek me kujdes të veçantë ndaj pacienteve do të kujtohet me shumë mall nga familja e ngushtë, pacientëve, kolegëve dhe të gjithëve që e njohën. La mbas të shoqen Mybexhel Riveni, dhe dy vajzat, Laura Riveni dhe Mirela Riveni (e cila është profesoreshë në Holandë).