Po kërkohet zgjidhje për 550 punonjësit e filialit të kompanisë ruse “Lukoil” në Maqedoninë e Veriut, pasi ky gjigant energjetik vendosi të shesë asetet e tij jashtë vendit, pas sanksioneve ndaj naftës që vendosi presidenti amerikan, raporton MIA.
Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE), Marko Bislimoski, deklaroi sot se duhet t’i jepet një shans “Lukoil Maqedoni” dhe se kompania mund të furnizohet me derivatet e naftës edhe nga vende të tjera.
“Kam pasur takim me përfaqësuesin e ‘Lukoil Maqedoni’, dhe ai do të marrë të gjitha masat që këta punonjës të mos mbeten pa punë. Pra, ‘Lukoil’ mund të vazhdojë të operojë dhe të sigurojë derivatet e naftës. Deri tani, shumica e furnizimeve vinin nga Bullgaria, por kompania mund të furnizohet edhe nga vende të tjera. Pra, duhet t’i japim shansin që të vazhdojë të punojë, nuk është e nevojshme të furnizohet vetëm nga rafineritë ruse”, tha Bislimovski.
“Lukoil” në Maqedoni ka 40 pika karburanti dhe 10 rezervuare me një kapacitet prej tetë mijë e 320 metra kubë.
Ndryshe, prodhuesi rus i naftës Lukoil njoftoi më 30 tetor se ka pranuar një ofertë nga tregtari i energjisë Gunvor Group për të blerë njësinë e saj ndërkombëtare Lukoil International.
Kompania, e cila së bashku me degët e saj ndërkombëtare i është nënshtruar sanksioneve për shkak të luftës në Ukrainë, tha se kushtet kryesore të transaksionit ishin rënë dakord paraprakisht, ndërsa Lukoil e kishte pranuar ofertën dhe ishte zotuar të mos negocionte me blerës të tjerë potencialë.
- LEXO: Lukoil do t’i shesë pronat e saj jashtë vendit, ka marrë ofertë nga Grupit Gunvor
- LEXO: Bullgaria vendosi rafinerinë e “Lukoil”-it në Burgas nën kontroll shtetëror për shkak të sanksioneve amerikane
- LEXO: Vërtetmatësi: Manipulim me lajmin, “Lukoil” në Maqedoni është nga viti 2006, artikulli nxjerr fajtorë pa prova