Me datë 03.10.2024 në ora 13.45 në Pirok të Tetovës, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin A.H.(30) nga Piroku nën dyshimin se ka kryer veprën penale “organizimi i lojërave të fatit pa licencë, përkatësisht pa leje nga organi kompetent” e dënueshme sipas nenit 156 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë kontrollit të celularit të tij, është konstatuar se ai përdorte një faqe interneti për lojërat e fatit online për të cilat kishte të drejta administrative për të krijuar përdorues të tjerë. Gjithashtu është gjetur edhe një listë e lojtarëve që kanë qenë aktivë, si dhe gjendja e kreditit të vendosur, me shumën e bilancit dhe kreditet e disponueshme, si dhe mesazhe në mjetet e komunikimit me kërkesat për të rimbushur kreditet në platformë.”, informoi Policia e Tetovës.
Atij i është konfiskuar celulari dhe është ndaluar në komisariat për procedim të mëtejshëm.
“Në të njëjtën kohë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë, në bashkëpunim me DAP dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës, kanë kryer kontroll edhe në lokalin e basteve sportive në fshatin Pirok, ku ai punonte, në pronësi të E.Sh. dhe I.Sh, të dy nga Tetova. Gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi në funksionimin e pikave të basteve, për të cilat do të merren masat përkatëse nga institucionet kompetente”, informoi Policia e Tetovës.
Pas dokumentimit të rastit, do të dorëzohet një parashtresë përkatës.
Pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit në internet, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se hapi i radhës do të jetë zbulimi dhe mbyllja e të gjitha faqeve që prezantojnë lojërat e fatit në internet dhe në këtë aksion, përveç atyre të vendit do të përfshihen edhe lojtarët e huaj në treg.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. Pritet të merret vendimi edhe për shuarjen e “MegaWin”, kompanisë së vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut. Këtë e paralajmëroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili tha se “Megawin” është 100% kompani shtetërore, dhe se për mbylljen e së njëjtës ka procedurë të posaçme.