Një nga nëndisiplinat e sociologjisë është edhe ajo e turizmit, fenomen ky social, kulturor dhe ekonomik që sipas MacCannell-it (1976, 1992) nuk është vetëm aktivitet fizik, por edhe “kognitiv” që ndikon në sjelljet dhe ndjenjat e individit (Cohen 2006). Turizmi është një akt dhe proces i kalimit të kohës jashtë shtëpisë për argëtim, relaksim apo kënaqësi të ndryshme nga ato laike deri te ato që lidhen me përshpirtësinë. Udhëtimi i motivuar nga feja, si pelegrinazhi, është një nga format më të vjetra të turizmit. (Rinschede, 1992) Turizmi fetar shenjon udhëtimet për qëllime fetare. Një përkufizim tjetër lidhur me turizmin religjioz është edhe ky: vizita e vendeve ose objekteve të shenjta duke synuar pastrimin shpirtëror, adhurimin ose fitimin e njohurive historike dhe kulturore. (Agiş, 2019) Në aktivitetet e turizmit të besimit mund të përfshihen organizime fetare si pelegrinazhi, vizita e varrezave të shenjta, takimet, kampingjet, shfaqjet fetare, ceremonitë ose festivalet spirituale. Sipas Ijaz-it (2021, turizmi modern fetar mund të klasifikohet në dy kategori: (1) pelegrinazhi dhe (2) ekskursionet intelektuale-edukative.
Qëllimet e vizitorëve që marrin pjesë në këto aktivitete përfshijnë njohjen e feve, angazhimin në punë vullnetarizmi, meditimin dhe lutjet, kërkimin e faljes përmes pendimit e të ngjashme. Pelegrinët shpesh e përkufizojnë veten si udhëtarë në kërkim të një kuptimi më të thellë ose si njerëz që shpresojnë për favore ose mrekulli nga Zoti apo e shenjta. Ka dallim midis termave turist dhe pelegrin. Turistët ordinerë janë njerëz që udhëtojnë për kënaqësi dhe kthehen në vendin e origjinës, kurse aktorët e turizmit fetar janë udhëtarë në kërkim të jetësimit të një objektivi sublim, metafizik.
Grekët e lashtë organizonin festivale dhe aktivitete për nder të perëndive të tyre të shumta, ngjarje në amfiteatro, gara, ngjitje në maja malore e të ngjashme. Santiago de Compostela, me shenjtoren e Shën Jakovit ka qenë vendi më i vizituar i pelegrinazhit në botën perëndimore mesjetare. Haxhi islam në Mekë me rrethinë që mbledh miliona vizitorë nga katër anët e botës çdo vit, vizita e Xhamisë Profetike në Medine, i Mesxhid-i Aksasë në Kuds, Muri i Lotëve që frekuentohet nga hebrenjtë, pelegrinazhi hindu në Kumbha Mela në Allahabad dhe udhëtimet e krishterëve në Romë konsiderohen si udhëtime thelbësisht fetare (Turner & Turner, 1978). Shteti i Papës i Vatikanit, i themeluar në vitin 1929 për katolikët, është një vend i shenjtë, ndërsa Shtëpia e Drejtësisë Universale në Haifa është e shenjtë dhe vend vizite për bahá’ítët. Mali i Araratit (Ağrı Dağı) besohet se është pika ku Noa mbërriti me anijen e tij, ndërsa në qytetin e Shanllëurfës ndodhet Balıklı Göl (Liqeni i Peshqve), një vend “i shenjtë” ku besohet se, pas hedhjes së profetit Ibrahim në zjarr për shkak të kundërshtimit të idhujve, zjarri u shndërrua në ujë dhe drurët në peshq. Në Shqipëri ekziston pelegrinazhi bektashian pesëditor në Malin e Tomorrit, në Bosnjë e Hercegovinë simbolik është tubimi në Ajvatovicë për myslimanët dhe Megjugorja që vizitohet masovikisht nga besimtarët katolikë.
Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, kur globalizimi dhe avancimet teknologjike kanë lehtësuar udhëtimin dhe komunikimin, turizmi fetar është zgjeruar globalisht në forma të ndryshme për shkak të interesit në rritje për shpirtëroren dhe shkëmbimin kulturor (Timothy & Olsen, 2006). Ky lloj turizmi i tërheq besimtarët drejt vendeve të shenjta “ku shfaqet apo përjetohet fuqia hyjnore” (Eade & Sallnow 1991:3), drejt lokacioneve që kanë një magnetizëm shpirtëror (Timothy & Olsen, 2006). Turistët që vijnë në një vend për turizëm fetar krijojnë elementin aktiv të turizmit fetar për atë vend, ndërsa turistët që shkojnë nga një vend në një vend tjetër për turizëm fetar, pra jashtë, krijojnë elementin pasiv të turizmit fetar. (Tekcan, 2022) Studimet e UNWTO-s llogarisin se rreth 600 milionë udhëtime fetare kryhen çdo vit kalendarik në botë, shumica prej tyre në Evropë dhe Azi, dhe se mbi 300 milionë njerëz shkojnë në pelegrinazhe çdo vit. (SIETT, 2024) Tempulli Sensoji dhe Meiji Jingu në Japoni çdo vit vizitohen nga 30 milionë njerëz, duke zënë vendin e parë në botë. Xhaminë Sulltan Ahmet në Turqi e vizitojnë 5 milionë turistë (vendin i 20-të), ndërsa Hagia Sofinë 3.2 milionë (vendi i 29-të). Sipas Grand View Research, në këtë lloj turizmi qarkullojnë rreth 289 bilionë dollarë.
Në vendin tonë, RMV turizmi fetar është gjithashtu aktiv por instancat zyrtare, tekstet akademike dhe bota virtuale e afirmojnë shumë më tepër vizitën e tempujve kristianë krahasuar me ato të proveniencave të tjera. Që nga vepra e Dimitrov et al., Религиозен туризам (Turizmi fetar, 2017), ku në tetë regjionet e Republikës paraqiten vetëm kishat dhe manastiret, spoti zyrtar “Macedonia Timeless”, e deri te webfaqja experiencebalkan.mk theksohen vlerat ortodokse dhe në mënyrë ekstremisht minore ilustrohet ndonjë tempull islamik. Nga Kisha e Shën Gjergjit, Joakim Bigorski, deri te Kisha e Shën Sofisë, portretizimi është thuajse monoreligjioz (përjashtim bën Xhamia e Larme që gjendet në faqen elkektronike të sipërpërmendur). E çuditshme është se pamje kristocentrike jepet edhe për Kosovën dhe Shqipërinë (me nga një xhami), që janë me shumicë dominante myslimane.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.