Trupi Koordinues Kombëtar në RMV ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, planifikohet ndryshimi i disa ligjeve

Në Maqedoninë e Veriut planifikohet ndryshimi i tetë ligjeve në kuadër të Trupit koordinues kombëtar për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Komisioni për këtë arsye ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, transmeton Portalb.mk.

“Një nga konkluzionet e kësaj seance është formimi i një grupi pune me përfaqësues nga të gjitha institucionet përkatëse dhe organizatat e shoqërisë civile për përgatitjen e një Projekt-Ndryshimeve dhe Plotësimeve të këtyre ligjeve: Ligji për kompetencat policore; Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje; Ligji për Mbrojtjen Sociale; Ligji për Drejtësinë për Fëmijë; Ligji për Ndihmën Juridike Falas; Ligji për Procedurën Penale; Ligji për Procedurën Civile dhe Ligji për Pagesën e Kompensimit në të holla të Viktimave nga Veprat Penale me Dhunë”, raportoi Ministria për Politikë Sociale, demokgrafi dh Rini.

Ministria sqaroi që kjo seancë urgjente vjen pas rastit tragjik në Karposh, ku humbi jetën nëna me vajzën e saj.

“Në seancën e TKK-së, u miratuan konkluzione për krijimin e një grupi pune që do të përgatisë ndryshime dhe plotësime urgjente në disa ligje, me qëllim përmirësimin e koordinimit institucional dhe forcimin e sistemit për mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe dhunës në familje. Ndryshimet e propozuara duhet t’i paraqiten Trupit Koordinues Kombëtar sa më shpejt të jetë e mundur”, raportoi Ministria.

Tragjedia në Karposh ndodhi më 2 mars, kur nëna Ivana dhe vajza e saj gjashtëvjeçare Katja humbën jetën pasi ranë nga ballkoni i katit të gjashtë të ndërtesës ku jetonin.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski të nesërmen deklaroi në konferencë për shtyp se policia kishte qenë në vendngjarje rreth dy orë para tragjedisë, pasi në orën 12:05 ishte pranuar një denoncim për një grindje. Policia kishte mbërritur në 12:19 dhe kishte biseduar me gruan, e cila atëherë kishte nënshkruar një deklaratë se nuk kishte pasur kontakt fizik mes saj dhe bashkëshortit dhe se nuk kërkonte fillimin e procedurës.

Sipas Toshkovskit, policia posedon edhe një video incizim nga e njëjta ditë, ku shihet i dyshuari duke e goditur viktimën. Ai informoi se i dyshuari më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe kishte një histori kriminale me dhjetë kallëzime penale për dhunë, vjedhje dhe tregti me drogë.

Pas tragjedisë, fqinjët dhe të afërmit e së ndjerës deklaruan publikisht se dhuna në familje ishte raportuar për vite me radhë, por institucionet nuk kishin reaguar siç duhet. Vëllai i viktimës shkroi në rrjetet sociale se “pas viteve të raportimit të dhunës familjare, dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe një tentative për vrasje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën”, duke akuzuar se sistemi kishte dështuar t’i mbrojë.

Pavarësisht ndryshimeve në Kodinin Penal në janar të këtij viti, sipas të cilave MPB duhet të veprojë ndaj denoncimeve për dhunë në familje edhe kur viktima nuk nis procedurë, policia sipas kritikëve nuk po i zbaton këto risi.

Dhuna familjareDhuna ndaj fëmijëveDhuna ndaj graveDhunë - DhunaMinistria e Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë (MPSDR)Rrjeti kundër dhunës