Tri net, dhjetëra artistë dhe mijëra vizitorë, rikthehet spektakli i “The Park Music Festival” në Gostivar

Nga 28 deri më 30 korrik, Parku i Qytetit në Gostivar do të shndërrohet në qendër të muzikës dhe argëtimit në kuadër të edicionit të tetë të “The Park Music Festival”. Festivali do të sjellë një program të pasur për publikun e të gjitha grupmoshave, me koncerte nga artistë të njohur, mbrëmje me muzikë jazz dhe alternative, si dhe aktivitete të veçanta për fëmijët dhe familjet, shkruan Portalb.mk.

Nata e parë, më 28 korrik, do të karakterizohet nga një program dinamik dhe energjik. Në skenën e festivalit do të performojë Noizy, i cili për herë të parë në Gostivar do të paraqitet live i shoqëruar nga bendi muzikor.

Publiku do të ketë mundësi të ndjekë edhe performancën e Dhurata Dorës, e cila do të sjellë disa nga projektet e saj më të reja dhe këngët më të njohura. Pjesë e programit do të jetë edhe Lumi B, i njohur për paraqitjet e tij energjike dhe komunikimin me publikun.

Në skenë do të ngjiten gjithashtu Guapo, Rilind Alimani dhe Era, ndërsa atmosfera gjatë mbrëmjes do të plotësohet nga DJ Ginger dhe DJ Nikk. Nata e parë pritet të tërheqë numrin më të madh të vizitorëve nga Gostivari, qytetet përreth dhe diaspora.

Foto: The park festival 2026

Më 29 korrik, festivali do të marrë një drejtim tjetër artistik, duke sjellë muzikë jazz, tinguj alternativë dhe kombinime të ndryshme muzikore. Në mbrëmjen e dytë do të performojnë Toni Kitanovski me projektin “Interstellar Transmission”, DJ Redon Robi dhe Agon Distortion. Programi është menduar për publikun që kërkon një përvojë më të veçantë muzikore, në një ambient të hapur dhe të rrethuar nga natyra.

Foto: The park festival 2026

Dita e tretë e festivalit, më 30 korrik, do t’u kushtohet fëmijëve dhe familjeve. Programi do të fillojë nga ora 19:00 dhe do të përfshijë lojëra edukative dhe argëtuese, animatorë, pika artistike dhe paraqitje të talenteve të reja në muzikë dhe art. Qëllimi i kësaj dite është që hapësira e festivalit të shndërrohet në një ambient të sigurt, argëtues dhe edukativ, ku edhe më të vegjlit do të kenë mundësi të jenë pjesë e aktiviteteve kulturore.

Foto: The park festival 2026

“The Park Music Festival” mbahet në Parkun e Qytetit të Gostivarit, lokacion që gjatë viteve është bërë pjesë e identitetit të kësaj ngjarjeje. Ambienti i hapur, gjelbërimi dhe afërsia e publikut me skenën krijojnë një atmosferë të veçantë, të ndryshme nga koncertet që organizohen në salla apo sheshe.

Jeton Veseli nga organizatorët e festivalit në një prononcim për Portalb.mk ka thënë se ajo që e bën këtë festival të veçantë është pikërisht lokacioni ku mbahet.

“Ajo që e bën The Park Festival plotësisht ndryshe nga çdo ngjarje tjetër verore është lokacioni unik. Parku i qytetit të Gostivarit nuk është thjesht një vend takimi; ai krijon një hapësirë ku publiku rrethohet nga natyra, me një skenë që të jep ndjesinë e një hapësire të pafundme dhe të lirë. Ky pasion përkthehet në një eksperiencë unike për publikun. Parku i qytetit të Gostivarit ofron diçka që asnjë sallë apo shesh nuk e zëvendëson dot: një ndjesi lirie, ku drunjtë dhe natyra rrethojnë skenën, duke krijuar përshtypjen e një hapësire pa kufij. Kjo atmosferë intime por edhe madhështore në të njëjtën kohë, është ajo që nuk gjendet diku tjetër dhe e bën të veçantë këtë festival”, tha Veseli.

Festivali, i cili nisi të realizohet në vitin 2018, gjatë viteve është zhvilluar në një platformë më të gjerë kulturore dhe argëtuese. Përveç artistëve të njohur, në program vazhdimisht përfshihen edhe artistë dhe talente të reja vendase.

Organizatorët presin që edhe këtë vit festivali të vizitohet nga qytetarë të Gostivarit, qyteteve të tjera të vendit, si dhe nga bashkatdhetarët që gjatë verës qëndrojnë në vendlindje.

GostivariKultura shqiptareKulturë lajmeTë rinj - Rini - RiniaThe Park Festival