Tregtarët me pakicë alarmojnë: Ligji i ri për mbrojtje nga duhani do t’ju vë drynin mbi 4.000 bizneseve

Objektet e vogla shitëse, siç janë tobako dyqanet, kiosqet, mini marketet dhe bizneset e tjera të vogla familjare do të goditen seriozisht nga ligji i ri për mbrojtje nga duhani dhe do të ballafaqohen me shpenzime serioze shtesë dhe humbje për çfarë arsyet një pjesë do të duhet të largojnë nga puna punëtorë, ndërsa një pjesë do të jenë të detyruar t’i mbyllin dyqanet, njofton Portalb.mk.

Ky është qëndrimi i tregtarëve me pakicë për projekt-ligjin për mbrojtje nga duhani, me të cilin parashikohet ashpërsim drastik i politikës shtetërore ndaj pirjes së cigareve dhe produkteve të duhanit.

Sipas pronarëve të këtyre objekteve të vogla shitëse, dispozitat nga ligji i propozuar të cilët u dedikohen mënyrës së shitjes, ekspozimit dhe komunikimit ndaj cigareve dhe prodhimeve të tjera të duhanit do ta rrezikojnë ekzistencën e bizneseve të vogla nëpër gjithë vendin që merren me shitje me pakicë. Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për mbi 4.000 biznese të vogla dhe të mesme.

Madje, pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre mujore vijnë nga kontratat afatgjata me industrinë e duhanit. Prandaj, pronarët e këtyre bizneseve të vogla kërkojnë një zgjidhje ligjore më të drejtë për ta, si dhe një periudhë kalimtare në të cilën ata mund të përshtaten me rregulloret e reja ligjore.

Tregtarët me pakicë reagojnë se zgjidhja e propozuar ligjore seriozisht i godet ata të cilët me vite punojnë legalisht, sipas dispozitave të vlefshme ligjore.

Ata konsiderojnë se është i domosdoshëm sistem më i drejtë ndaj tyre, me vlerësim të rreziqeve reale për bizneset familjare për shkak se ligji i ri vetëm ndalon, por jo edhe zgjidhje për problemet reale me të cilët ata ballafaqohen.

Ndryshe, projektligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRR), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debatin publik para miratimit të tij.

CigareDuhaniMinistria e Shëndetësisë (MSH)