Tregime vere (I): Plaka dhe lirat

Një ditë korriku me vapë të jashtëzakonshme, përvëluese, gjatë pushimit veror në Turqi, afër detit Marmara, tek një familjar i bashkëshortes, para se të kalonim te destinacioni final, Akçay. Një ditë, duke u kthyer nga plazhi, para se të ngjitemi në veturë, me djalin tonë shohim një pamje që na tronditi thellë, që unë nuk e thash kurse shtatëmbëdhjetëvjeçari e shprehu me zë: “Babi, sa keq, kjo plaka (që dukej se ishte mbi 70-vjeçare) po mblidhka pet shishe me thesin në shpinë!” Ka një vegël metalike shpuese me të cilën “i rrok” dhe i qet në thesin e madh që më pas, me gjasë, t’i shesë dikund si material riciklimi. Ky është skenari në kokën time.

Dhe djali vazhdon: “A thua s’ka djem, fëmijë, a s’ka familje? Pse e kanë lënë kështu? A s’mund t’ia sigurojnë një copë bukë që ta gëzojë pleqninë e vet?” Dhe, sa futemi në makinë, vëren një sasi lirash turke te pjesa e përparme e kutisë plastike nën display: “T’ia jap këto para?” “Çoja menjëherë” – i them. Pa një pa, dy doli, dhe e shoh që u ndal, po bisedon me të. Dhe, u kthye, me paratë në dorë. “Pse s’ia dhe?” “Nuk i pranoi, refuzoi” – ishte përgjigjja. Dhe hop, kalon para nesh; e hapa xhamin dhe e përshëndeta. S’më la të shkoj mëtutje e as të shtoj diç: “Ju faleminderit shumë, por unë dua të jetoj nga djersa ime, s’dua të jem barrë e askujt!” Na shtangu.

Keqardhje humane e ngatërruar me porosi të thellë që na shtyri të mendojmë për mendësinë e njeriut tonë tipik, në veçanti të rinisë, që kërkojnë jopunë, ose punë sa më të lehtë, madje edhe hiçpunë, që janë të gatshëm të jetojnë në shpinën e tjetrit, të shtetit, institucionit, shefit, vëllait kurbetqar, babait, me pensionin e nënës e kështu me radhë. Që kënaqen me të ardhurat, financat, paratë që s’i kanë fituar vetë. Që harxhojnë fët e fët, pa llogaritur se janë hak i tjetërkujt. Zoti nuk zbret njeri nga qielli në tokë dhe në shoqëri. Ai çon persona si gjithë ne që na japin leksione jetësorë përmes sjelljeve dhe veprimeve të tyre që nguliten në mbamendjen dhe zemrën e atyre që kanë ndërgjegje, që janë vërtet të gjallë. Zhegu si saç, plaka me spicin e hekurt herë andej e herë këndej mbledh shishe për të mbijetuar, për një kafshatë goje. Një pamje trishtuese që flet për krizë, për shoqni dhe familiaritet të vdekur dhe shtet miop, por ndërkohë edhe për mësimdhënie praktike, për leksion etike nga një njeri që ndoshta s’e ka të kryer as shkollën fillore. Ekologji, ekonomi, etikë. 3in1. Tre në një.

Ky imazh i plakës që më tepër i çmon lirat e devalvuara moderne turke të fituara vetë sesa ato klasike-të floririt të thesit të mbushur nga nëntoka që shumë veta e ëndërrojnë, hyn na kategorinë që Featherstone dhe Hepworth (1991) e kanë quajtur “heronjtë e plakjes”, individë këta që i kushtojnë kujdes vetes dhe nuk i pranojnë stereotipet e moshës së vjetër, që përpiqen të jenë dinamikë, të aktivizojnë trupin e tyre. Këta janë optimistë, pasi plakjen dhe ngjarjet e vështira i shohin si sfida për t’u përballur dhe jo si kërcënime për jetën e tyre. Këta janë njerëz sipas John Rowe dhe Robert Louis përjetojnë një plakje të suksesshme (successful aging), temë kjo me të cilën është marrë edhe psikologu kosovar Agron Hoxha, libri i të cilit, Successful Aging: Learn to Grow Older Gracefully, pas anglishtes së shpejti pritet të botohet edhe shqip.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit