Tre vite nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, rigjykimi do të fillojë më 25 shtator

Sot po bëhen tre vjet nga tragjedia e zjarrit që përfshiu spitalin modular të Tetovës, si pasojë e së cilit humbën jetën 14 persona, ndërsa spitali u dogj tërësisht. Por, edhe pas tre viteve, ende nuk ka epilog gjyqësor për rastin, shkruan Portalb.mk.

Në Gjykatën e Tetovës më 26 qershor u desh të fillojë rigjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës, por seanca u anulua për shkak se nuk pati përfaqësues nga Spitali i Tetovës.

Në këtë mënyrë, rigjykimi i rastit për zjarrin në spitalin modular do të fillojë më 25 shtator 2024, në krye me gjyqtarin Jordan Velkovski.

Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 ka vendosur që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Kujtojmë se, me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një Zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

 

Gjykata Themelore TetovëGjykimi - Zjarri në Spitalin Modular TetovëZjarri në Spitalin Modular Tetovë