Një ari me dy arinj të vegjël janë vrarë dhe janë hedhur në një deponi në hyrje të fshatit Zhirovnicë. Ata janë zbuluar nga rojet e Parkut Kombëtar “Mavrova”, pas çka është njoftuar edhe policia, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Sreten Stojkovski sot informoi se inspektorët e tyre të mjedisit kanë dalë në terren dhe kanë bërë mbikëqyrje dhe procesverbal të jashtëzakonshëm.
“Sot në mëngjes, para hyrjes në fshatin Zhirovnicë, shërbimi roje i PK “Mavrova” ka vërejtur se janë qëlluar tre arinj, një femër me dy këlyshë. Inspektorati bëri inspektim të jashtëzakonshëm dhe do të kryhet procedura e mëtejshme e inspektimit. Në vend kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Punëve të Brendshme”, informoi Stojkovski.
Trupat e arinjve janë nxjerrë nga vendi ku janë hedhur dhe janë transferuar në një ftohës special në PK “Mavrovë”.
Së fundmi, komuniteti lokal i Galicnikut është ankuar për praninë e arinjve në vendbanimet e rajonit të Mavrovës, nga ku thonë se kafshët i përmbysnin kontejnerët për t’u ushqyer. Nga aty kanë kërkuar zgjidhje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave dhe nga Inspektorati Shtetëror i Gjuetisë.
Arinjtë në vend mbrohen që nga viti 1996 dhe sipas Ligjit të Gjuetisë ata nuk mund të gjuhen.