Shoferët profesionistë nga vendi, të organizuar nga Asociacioni i Transportit “Makam-trans”, sot nga ora 12:00 deri në 14:00 do të mbajnë protestë para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shkup. Siç është paralajmëruar, ata do të kërkojnë zgjidhjen e problemit me qëndrimin e kufizuar të transportuesve në zonën Shengen, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një protestë paralajmëruese para takimit të nesërm të Grupit Punues në Bruksel, nga i cili transportuesit presin zgjidhje konkrete për statusin e tyre pas vendosjes së Sistemit të Hyrje-Daljeve – EES (Entry/Exit System) në BE. Sipas këtij sistemi, shtetasit e vendeve të treta mund të qëndrojnë në vendet e Shengenit maksimum 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditësh.
Siç njoftuan javën e kaluar nga “Makam-trans”, para selisë së Delegacionit të BE-së në Shkup do të parkohen rreth 20 automjete transporti, ndërsa do të jenë të pranishëm pronarë të kompanive të transportit, shoferë dhe punonjës të tjerë të këtyre kompanive nga disa vende të vendit.
Protesta dyorëshe, në të njëjtën periudhë nga ora 12:00 deri në 14:00, sot do të zhvillohen edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe Mal të Zi.
Nga Asociacioni “Makam-trans” thanë se protesta është një paralajmërim për Bashkimin Evropian, i cili, sipas tyre, gjatë shtatë muajve të fundit nuk ka treguar vullnet të mirë për tejkalimin e problemit, edhe pse në strategjinë e vizave shoferët njihen si profesionistë që ushtrojnë veprimtari profesionale.
“Meqë shtatori është fillimi i punës, duam të dërgojmë një mesazh të qartë që të ndërmerret diçka. Më 1 shtator pritet të mbahet takim i përfaqësuesve të të gjitha vendeve të zonës Shengen, në të cilin kërkojmë që në rend dite të jetë edhe çështja jonë”, tha sekretarja e përgjithshme e “Makam-trans”, Biljana Muratovska, në një deklaratë për MIA-n.
Lidhur me qëndrimin e Ministrisë së Transportit, e cila në disa raste ka theksuar se po ndërmerr aktivitete për t’u ndihmuar transportuesve përmes lidhjes së marrëveshjeve dypalëshe me disa vende të zonës Shengen, me qëllim sigurimin e mbulimit të itinerareve ku lëvizin më shpesh transportuesit nga vendi, Muratovska thotë se, përveç Kroacisë, e cila ka bërë ndryshime në ligjin e saj për të huajt, shtetet e tjera nuk kanë ndërmarrë hapa të tillë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për protestën e paralajmëruar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, javën e kaluar deklaroi se si Qeveri kanë mirëkuptim të plotë për problemin e transportuesve dhe po përpiqen ta zgjidhin atë brenda mundësive të tyre.
Siç theksoi Nikolloski, bëhet fjalë për rregulla që përcaktohen nga zona Shengen dhe ajo që mund të bëjnë dhe po bëjnë ata si pushtet ekzekutiv në vend është të ndihmojnë përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe me vendet e Shengenit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit tha se kjo po bëhet dhe se tashmë janë arritur marrëveshje me disa vende, ndërsa në periudhën e ardhshme do të punohet intensivisht edhe për marrëveshje me shtete të tjera të zonës Shengen.
Siç saktësoi ai, marrëveshje tashmë ekzistojnë me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa në shtator dhe tetor janë paralajmëruar takime me qeveritë e Austrisë dhe Sllovenisë për arritjen e marrëveshjeve të tilla dypalëshe.
Sipas tij, në këtë mënyrë përfshihen vendet ku ka frekuencën më të madhe të transportuesve maqedonas, ndërsa Qeveria dhe Ministria vazhdojnë punën për gjetjen e zgjidhjeve shtesë.
Ndërkaq, siç njoftuan nga “Makam-trans”, nëse në takimin e nesërm në Bruksel nuk do të ketë zgjidhje kalimtare për qëndrimin e shoferëve profesionistë në zonën Shengen, është propozuar që më 14 shtator të zhvillohet protestë në pikat kufitare të secilit shtet veçmas. Megjithatë, siç theksuan pas takimit në Shkup më 21 gusht, protestat nuk janë në interes të askujt.
Siç informuan, 50 përqind e shoferëve refuzojnë të vozisin, sepse nuk kanë siguri se çfarë do të ndodhë në kufi dhe gjithçka varet nga vullneti i punonjësve në pikat kufitare, të cilët e interpretojnë ndryshe rregullin 90/180.
Me këtë problem përballen rreth 17 mijë shoferë profesionistë nga vendi, ndërsa në nivel të vendeve të Ballkanit Perëndimor numri arrin në 100 mijë.
Transportues nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina në janar të këtij viti bllokuan pikat e ngarkesave në vendkalimet kufitare, duke kërkuar që të përjashtohen nga sistemi i ri i kontrollit të hyrjeve dhe daljeve në BE, për shkak të të cilit, siç thanë, përballen me dëme ekonomike dhe dëbime.
Bllokada pothuajse katërditore e trafikut të mallrave u ndërpre pasi Komisioni Evropian vendosi të miratojë një strategji të re për vizat, e cila, sipas deklaratave të atëhershme të institucioneve kompetente, do të çonte drejt zgjidhjes së problemit me të cilin përballen shoferët profesionistë.
Shoferët nga Maqedonia, si edhe shoferët profesionistë të kamionëve nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, që nga fundi i vitit të kaluar u përballën me problem pas fillimit të zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljeve nga Bashkimi Evropian (EES). Sipas këtij sistemi, transportuesit nga Ballkani Perëndimor regjistrohen si turistë dhe mund të qëndrojnë në vendet e BE-së maksimum 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.