Tragjedi e rëndë në SHBA, autori vrau tetë fëmijë, shtatë prej tyre ishin të tij

Të paktën tetë fëmijë janë vrarë dhe dy të rritur janë plagosur rëndë në një të shtënë masive në qytetin Shreveport, në shtetin amerikan të Luizianës, raporton Guardian.

Sipas policisë, i dyshuari, Shamar Elkins, vrau shtatë nga fëmijët e tij, plagosi nënën e tyre dhe vrau një fëmijë tjetër. Fëmijët ishin të moshës nga një deri në rreth 12 vjeç.

Zëdhënësi i policisë së Shreveport, Chris Bordelon, tha se dy gra të plagosura ishin në gjendje kritike dhe i dyshuari vdiq pas një ndjekjeje policore.

Shefi i policisë Wayne Smith tha se Elkins u qëllua nga policia pasi kreu një vjedhje makine.

Të shtënat ndodhën herët këtë mëngjes në lagjen Cedar Grove. Hetuesit ende nuk kanë publikuar motivin, por thonë se është një rast dhune në familje.

Sipas policisë, i dyshuari kishte qëlluar më parë një grua në rrugë para se të shkonte në shtëpinë ku kreu vrasjet.

Dy gra të rritura, mes tyre edhe nëna e fëmijëve, ndodhen në gjendje kritike për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor intensiv.

Elkins u arrestua gjithashtu në vitin 2019 në një rast të lidhur me armë zjarri.

Ky është incidenti më vdekjeprurës i të shtënave masive në Shtetet e Bashkuara që nga janari i vitit 2024, kur tetë persona u vranë në Joliet, Illinois, sipas Arkivit të Dhunës me Armët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Vrasje - Ekzekutim