Në romanin 451° Fahrenhajt të Rej Bredbërit përshkruhet shoqëria ku librat janë të ndaluar me ligj. Kjo vepër, e përkthyer në gjuhën shqipe nga Piro Misha, i përket letërsisë distopike. Sipas studiuesve, kjo letërsi e paralajmëron shfaqjen e totalitarizmit, kontrollin e sofistikuar të njerëzve dhe lindjen e shoqërisë së analfabetëve.
Protagonisti Gaj Montagu është zjarrëvënës i librave. Në fillim është ingranazh i sistemit represiv. Më vonë e kupton se, ashtu si shumica e njerëzve, ka menduar me mendime të gatshme, pra sipas kallëpeve të krijuara nga elitat; se njerëzit e indokrinuar nuk janë subjekte, por objekte që teledirigjohen; se autoritetet e synojnë krijimin e një shoqërie ku njerëzit duhet të jenë të ngjashëm dhe të paditur.
“Le të bëhen njerëzit të ngjashëm me njëri – tjetrin, si dy pika uji, paskëtaj të gjithë do të jenë të lumtur”.
Regjimet e këtilla u frikësohen njerëzve që mendojnë, sepse mund të kenë qëllime të rrezikshme.
“E kush e merr dot vesh se ç’synime ka një njeri i mësuar?!”
Shoqëritë distopike synojnë ta kontrollojnë jo vetëm vetëdijen, por edhe nënvetëdijen e njerëzve, pra edhe ëndrrat e tyre, siç përshkruhet në romanin Pallati i ëndrrave të Ismail Kadaresë. Njëkohësisht e imponojnë konformizmin dhe i luftojnë ose i margjinalizojnë njerëzit me gjykim kritik. Çdokush që del nga kallëpet zyrtare shihet si i çuditshëm ose si i rrezikshëm…
Sot librat i “djeg” teknologjia. Mediat e kontrolluara e zvogëlojnë interesimin për librin, e nxisin cektësinë mendore, i largojnë njerëzit nga realiteti dhe i fokusojnë te temat banale dhe të parëndësishme. Ngjashëm si pilulat “soma” që përshkruhen te vepra Më e mira botë nga Haksli ose si pilulat e lumturisë te vepra Mendja e robëruar e Çeslav Miloshit.
Nëpërmjet “tiranisë së kënaqësisë së menjëhershme” synohet të shuhet pasioni për leximin dhe mendimin kritik, të helmohet shpirti njerëzor dhe të shuhet përgjegjësia personale. Njerëzit duhet të mendojnë njësoj, t’i nënshtrohen rutinës e cektësisë dhe të heqin dorë nga përgjegjësia personale e politike. Kështu krijohen shoqëritë apatike.
Studiuesit thonë se nga veprat e Bredbërit, nxjerrim mesazhin se mungesa e mendimit kritik dhe humbja e respektit për trashëgiminë, e çon njerëzimin drejt vetëshkatërrimit.
Po ta kontekstualizojmë të sipërthënën për rrethanat tona, do të shohim se jemi pjesë e një shoqërie distopike, në të cilën kiçi kulturor e ushqen kiçin politik dhe kiçi politik e stimulon kiçin kulturor. Qëllimi është të krijohet shoqëria ku njerëzit do të mendojnë me mendime të gatshme, kurse kiçin do ta pranojnë dhe prezantojnë si vlerë eprore.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.