Tetovë, mungesa e librave ua vështirëson procesin arsimor nxënësve, prindërit detyrohen të harxhojnë para (Video)

Tre javë pas fillimit të vitit të ri shkollor, nxënësve në Tetovë iu mungojnë shumë libra. Si rezultat i dështimit institucional për t’i siguruar librat, prindërit si zgjidhje alternative shohin fotokopjimin e tyre që është ngarkesë shtesë për xhepin e tyre. Nxënësit dhe prindërit ankohen, kërkojnë që këtij problemi t’i jepet fund. Sipas Komunës së Tetovës nëpër shkolla mungojnë mijëra libra, ndërsa Ministria e Arsimit mohon të njëjtën edhe pse faktet nga terreni flasin ndryshe, shkruan Portalb.mk.

Nxënësit e shkollave fillore ankohen për Portalb.mk se u mungojnë libra nga lëndët më të ndryshme.

Disa prej tyre shpërehen para kamerës tonë shqetësimet e tyre.

“Më mungojnë librat në gjuhën shqipe, histori dhe plotë lëndë tjera. Fotokopje duhet të bëjmë gati te secila se janë të shkruara të shqepura. Shumë problem se nuk mund të mbajmë mësim pa libra”, tha një nxënës i klasës së tetë.

“Më mungojnë më shumë se 7-8 libra. Kur na japin, kur i lënë aty janë të gjithë të shqepura, të vizatuara. Problem, problem, pa libra nuk mund të mësosh”, tha një nxënës i klasës së gjashtë.

“Jam klasa e nëntë, më mungojnë plot libra: gjuha shqipe, fizika, kimia, gjermanishtja, anglishtja. Shumë problem është”, tha një nxënës i klasës së nëntë.

Shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë. Foto: Portalb .mk

“Mësoj në ekonomi, dy libra më mungojnë, nuk e di cilat vetëm e di se më mungojnë dy”, tha një nxënës

“Nuk janë të gjithë librat, shumica e librave mungojnë, dikush nuk ka aspak, dikujt i mungojnë. Matematika, Informatika na mungojnë”, tha një nxënëse.

Nëpër pikat e fotokopjimit radhët janë të gjata të prindërve dhe nxënësve të cilët fotokopjojnë librat.

Fotokopje. Foto: Portalb.mk

Prindërit ankohen se fotokopjimi i tyre është barrë shtesë për xhepin e tyre

Para një shtëpie fotokopjuese në Tetovë takuam Drita Sulejmanin, ajo kishte dy fëmijëve në shkollë, një në klasë të dytë dhe një në të gjashtën. Ajo kishte ardhur t’i bëjë fotokopje disa nga librat që u mungonin fëmijëve të saj.

“Mungojnë librat, më shumë na dërgojnë edhe fotokopje t’i bëjmë librat. Mundohen nëpër nxënës, mundohet mësuesi nëpër grupe të na dërgojë detyrat. Janë bërë dy javë që nuk ka libra. Shumë problematike është edhe harxhime plot kemi. Kërkojmë ndihmë (nga autoritetet), më shumë angazhim për fëmijët tanë. Shqipen, matematikën nuk e kanë, lëndët më kryesore nuk i kanë. Matematik dhe shqip kanë vazhdimisht detyra, shokët dhe shoqet ua dërgojnë nëpër grupe. Edhe vajzës i mungojnë librat e shqipes dhe matematikës”, tha Drita Sulejmani.

Drita Sulejmani, prind. Foto: Portalb.mk

Nga njëra pikë e fotokopjuese në Tetovë na thanë shkurt se kërkesa për të fotokopjuar libra është e madhe, ndërsa librat që më shumë fotokopjohen janë librat e gjuhëve të huaja.

Problemin me mungesën e librave e konfirmoi edhe drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” Sihana Kaba Kasami, ajo tha se në shkollën e tyre mungojnë mbi 800 libra. Sipas saj kjo plagë e kamotshme assesi të shërohet komplet.

“Flas libra të mirë të rinj, ne kemi libra mirëpo shumica e librave mungojnë prej në fletën 60-70, ne ato ua kemi dhënë nxënësve dhe arsyetohemi se kanë libra, në fakt nuk kanë libra, po qe se libri nuk fillon prej te kopertina, ajo më nuk është libër”, tha Kaba Kasami.

Libra të dëmtuar për shkollën fillore. Foto: Portalb.mk

Ajo tha se klasa e parë, dytë e tretë zakonisht nuk kanë problem me mungesën e librave.

“Vjen gushti, bëhet shpërndarja e klasës së parë, dytë, tretë dhe më duket se bëjnë shpërndarjen e librave të cilat u kanë mbetur nëpër magazina, jo sipas kërkesave të shkollave. Na vijnë zakonisht libra të reja në shkathtësi që nuk e kanë aq shumë në përdorim, ndërsa sa u takon lëndëve kruciale si gjuha shqipe, matematika, historia, shkenca, këtu veç kemi mungesë”, tha Kaba Kasami.

Problemi më i madh sipas saj me mungesën e librave ndihet te klasat e katërta dhe të pesta.

“ Për këto dy gjenerata këtë vit shkollor nuk na ka ardhur fare asnjë libër. Nxënësit hasin në vështirësi por edhe arsimtarët ngaqë librat e vitit të kaluar janë thuaj se të gjithë të shkruara.”, tha Kaba Kasami.

Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”. Foto: Portalb.mk

Ajo kërkoi që Ministria e Arsimit që t’i qaset më me seriozitet kësaj problematike.

“Kur pyetet ministresha e arsimit thotë që fajin e kanë drejtorët, kur vijnë te ne, ne themi se e kemi bërë kërkesën, po luajmë një ping-pongu ne të rriturit, çdo herë në dëm të fëmijëve”, tha Kaba Kasami.

Ajo apeloi që vitin e ardhshëm mos të përsëritet ky gabim, por nxënësit t’i kenë librat që në fillim të vitit.

Nga Komuna e Tetovës nuk arritëm të marrim shifër konkrete për numrin e librave që mungojnë për momentin në shkollat fillore dhe të mesme, për shkak se përgjegjësit e arsimit në komunë këto ditë janë në udhëtime.

Megjithatë, nga ajo që deklaruan nga Komuna e Tetovës javën e kaluar (11.09.2024), numri i librave që mungojnë në shkolla është rreth 20 mijë.

Komuna e Tetovës. Foto: Portalb.mk

Por, kjo shifër është e papranueshme për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ata thonë se informatat se mungojnë tekstet shkollore në shkollat ​​e Tetovës janë të pasakta.

“Këtë vit shkollor, sipas kërkesave të Komunës së Tetovës përmes aplikacionit elektronik për raportimin e nevojave për tekste, ministria ka dorëzuar mbi 20 mijë tekste dhe 9 mijë fletore pune, për të gjitha lëndët për të cilat ka tekste të miratuara dhe janë shtypur”, thanë nga Ministria e Arsimit.

Nga MASh-i theksuan se në kërkesën e komunës, janë të listuara edhe tekste për lëndët për të cilat në fakt sipas Konceptit të Arsimit Bazë nuk prodhohen tekste p.sh arti, muzika, edukata fizike e kështu me radhë.

“Si dhe për gjuhët e huaja për të cilat procedura është anuluar nga udhëheqësia e mëparshme është në fazën e ankimimit dhe pas përfundimit do të publikohet sërish. Nga këtu ka ardhur informacioni se në Tetovë mungojnë tekstet shkollore dhe e konfirmojmë edhe një herë se është e pasaktë”, thanë nga MASh.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Foto: Portalb.mk

Por, faktet nga terreni tregojnë se nxënësit kanë mungesë të librave, pavarësisht se Ministria e Arsimit nuk e pranon këtë.

Problemi me librat nuk është duke u zgjidhur me vite të tëra.

Në të kaluarën në Tetovë ka pasur edhe protesta nga nxënësit për shkak të mungesës së librave.

Arsimtar(e) Mesues(e) MësimArtikuj të gjatëKomuna e TetovësLibraMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeTetova