Nesër (27 shtator) në Qendrën e Kulturës në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, do të mbahet edicioni i 14-të i Festivalit “TEUTA”, një ngjarje që ndër vite ka ruajtur dhe promovuar magjinë e këngës së vjetër qytetare. Ky edicion ka një rëndësi të veçantë, pasi përkon me 20-vjetorin e themelimit të Kori të Grave “TEUTA”, i cili ka ruajtur me pasion dhe përkushtim traditën muzikore qytetare, shkruan Portalb.mk.
Jeton Pustina udhëheqës i grupit të grave “TEUTA” për Portalb.mk tha se veçantia e këtij edicioni është se, për herë të parë, do të promovohet kënga-himn e grupit të grave “Teuta”.
“Festivali i këngës qytetare, ashtu si edhe grupi i grave “TEUTA”, tashmë janë etabluar si brende kulturore të qytetit të Tetovës. Organizimi i një festivali të këtyre përmasave, me artistë dhe grupe ndër më eminentët, është një punë e madhe dhe një përpjekje e jashtëzakonshme për ta mbajtur gjallë frymën qytetare e intelektuale të qytetit tonë në këto kohëra të turbullta. Unë mendoj se veçantia e këtij edicioni është se, për herë të parë, do të promovohet kënga-himn e grupit të grave “Teuta”, si edhe videospoti, i cili është realizuar në lokacione të ndryshme të Tetovës. Besoj se do të jetë një befasi shumë e bukur”, tha Pustina.
Ai shtoi se festivali ka pasur rritje në të gjitha aspektet.
“Festivali, gjatë këtyre viteve, ka pasur rritje si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë artistik. E marr të drejtën të flas, pasi për 12 vite kam qenë udhëheqës artistik dhe, së bashku me grupin e grave “TEUTA”, edhe themelues i këtij festivali. Gjatë këtyre viteve, në skenën e festivalit kanë performuar grupe, kore dhe solistë nga pothuajse të gjitha qytetet e hapësirave mbarë-shqiptare. Përveç vitit të kaluar, kur festivali dështoi për shkak të një udhëheqësi joprofesionistë, këtë vit, sipas informacioneve që kam dhe duke parë angazhimin e drejtoreshës së re, besoj se do të rikthehet në nivelin e duhur, ashtu siç e meriton një aktivitet i tillë. Unë vazhdoj të jap kontribut në këtë festival, por tash vetëm si udhëheqës i grupit të grave “Teuta””, tha Pustina.
Në këtë festival, ansamble të njohura nga të gjitha trojet shqipfolëse do të nderojnë skenën me performancat e tyre:
- Kori i Grave “Teuta”
- Kllapa Ulqinake “Burimi”-Ulqin
- SHKA “Presheva”-Preshevë
- Kori “Nexhmije Pagarusha”-Prishtinë
- Okteti “Ilirikum”-Tetovë
- Ansambli “Isuf Myzyiri”-Elbasan
- Grupi “Rilindja”-Gjakovë
Për gjithë ata të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e këtij festivali hyrja ështa pa pagesë.
Duhet të theksohet se tani grupi i grave “TEUTA” funksionon në kuadër të SHKA “Xheladin Zeqiri”, ku kryesia e saj kujdeset për çdo detaj, dhe sidomos për orkestrën, e cila në çdo kohë ka qenë dorë e zgjatur dhe mbështetje për këtë grup.