Tetova me një sërë problemesh ekologjike, u propozua themelimi i një sektori të veçantë për mjedis dhe energjetikë

Në Tetovë u mbajt konferenca “Identifikimi i prioriteteve mjedisore të Komunës së Tetovës”, një ngjarje kjo që mblodhi krerët e institucioneve, ekspertë dhe shoqërinë civile për të hartuar një strategji konkrete për të ardhmen e qytetit, transmeton Portalb.mk. Ky forum u organizua nga Shoqata “Multikultura” në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, si pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes lokale për tranzicionin e gjelbër – Themelimi i një Departamenti për Mjedis dhe Energji në Tetovë”.

Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, si dhe kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi si dhe ekspertë të fushës së vetëqeverisjes lokale dhe mjedisit jetësor. Ata diskutuan për situatën aktuale ku ndodhet rajoni i Pollogut në aspektin ekologjik.

Diskutimet u përqendruan në ato që konsiderohen si “plagët” kryesore mjedisore të Tetovës, ku u veçuan ndotja alarmante e ajrit, sfidat me menaxhimin e mbeturinave, mungesa e theksuar e hapësirave të gjelbra dhe nevoja emergjente për një koordinim më të mirë institucional. Ekspertët e pranishëm ndanë rekomandime specifike për zhvillimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave, duke vënë theksin te forcimi i kapaciteteve komunale për të përballuar këto procese komplekse.

Megjithatë, pika më kulminante e forumit ishte propozimi për themelimin e një sektori të veçantë për mjedis dhe energjetikë brenda strukturës së Komunës së Tetovës. Ky hap shihet si jetik për të siguruar një qasje më të strukturuar, profesionale dhe mbi të gjitha të qëndrueshme në trajtimin e tranzicionit energjetik dhe krizave mjedisore, duke e larguar trajtimin e këtyre temave nga improvizimet dhe duke i kaluar ato në duart e profesionistëve.

Organizatorët nga shoqata “Multikultura” bënë të ditur se të gjitha idetë, propozimet dhe inputet e dala nga ky forum nuk do të mbeten vetëm në letër, por do të shërbejnë si bazë solide për aktivitetet dhe politikat e ardhshme në kuadër të projektit. Ky proces synon që përmes bashkëpunimit mes sektorit civil dhe pushtetit lokal, Tetova të avancojë sigurt drejt një tranzicioni të gjelbër që përmirëson drejtpërdrejt cilësinë e jetës për qytetarët e saj.

Tetovë ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një problem i vazhdueshëm dhe i pazgjidhur, me nivele të larta ndotjeje dhe masa të pamjaftueshme për përmirësim, sipas raportimeve të Portalb.mk. Po ashtu, qyteti përballet me probleme serioze në furnizimin me ujë dhe me mungesë të hapësirave të gjelbra për shkak të urbanizimit dhe ndërtimeve, duke përkeqësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Komuna e TetovësNdotja e ajrit - ajër i ndoturNdotja e tokës mbeturina