Tenori i mirënjohur Josif Gjipali do të prezantohet në Gala Koncertin i cili do të mbahet të shtunën në Tetovë së bashku me tenorët Kastriot Tusha dhe Arif Vladi, të organizuar nga Shoqata për Kulturë “Allegretto”. Gjipali njihet si tenor që ka hapur një karrierë të mrekullueshme në skenat e Evropës duke luajtur rolet më të rëndësishme të tenorit në operat e mëdha. Me karrierë të në skenën operistike botërore, ai cilësohet si një nga zërat lirikë më të mirë dhe angazhimet në teatrot më të mëdhenj të botës. Në një intervistë për Portalb.mk ai foli për karrierën e tij, sfidat, sukseset si dhe koncertin që do të mbahet në Tetovë.
Portalb.mk: Josif kemi kënaqësinë të të kemi në koncert në Tetovë nder dhe kënaqësi për ne, na tregoni me çka do të prezantoheni, çfarë mund të presin të gjithë artdashësit e muzikës serioze?
Josif Gjipali: Kënaqësia është gjithashtu e imja. Në këtë koncert jemi munduar që të zgjedhim pjesë të repertuorit, kemi gërshetuar repertuar shqiptarë dhe të themi me numra, që janë ikona të lirikës botërore që i njohin të tërë. Do të këndojë që nga këngët patriotike, Hajredin Pasha e të tjera, d.m.th. këngë që janë në albumin historik të muzikës shqiptare, gjithashtu edhe perla të zgjedhura të repertuorit lirikë botërore.
Portalb.mk: Është kënaqësi kur je para publikut shqiptar ku me aq ngrohtësi ju pret si e ndieni ju veten?
Josif Gjipali: Patjetër është një kënaqësi e veçantë, aq më tepër kur ti prezanton apo të themi këndon në gjuhën e vendit tënd, në gjuhën e popullit tënd, dhe ja këndon pikërisht njerëzve që e kanë gjuhën e tyre të nënës, d.m.th. njerëzve që absorbojnë të themi 100% të themi si nga ana gjuhësore, ashtu edhe nga ana muzikore. Gjithashtu paralelisht shkon edhe përgjegjësia që nuk është e vogël në këto raste.
Portalb.mk: Josif edhe pse koncertet tuaja janë më shumë nëpër botë, mund të presim që edhe në Maqedoninë e Veriut do na vini me një koncert?
Josif Gjipali: Të them të drejtën propozime kam pasur, por akoma nuk kemi ndonjë gjë konkrete. Kam pasur propozime nga ato private jo nga Opera e Shkupit apo Institucionet e tjera.
Portalb.mk: Na trego si filloi e u realizua ëndrra juaj në këto përmasa kaq të mëdha?
Josif Gjipali: Kanto ka qenë pasioni i im që në fëmijëri, dhe kam kënduar që i vogël në ato festivalet të pionierëve, që organizoheshin në Shqipëri më vonë shkova të studioj në Universitet për Inxhinieri Elektrike, por kuptova që nuk ishte ajo e ardhmja ime, d.m.th. nuk mund të ndahesha nga muzika dhe kënga. Ndërpreva studimet në Inxhinierinë Elektrike, dhe hyra pastaj në Akademinë e Arteve. Gjithmonë kam studiuar, duke pasur dhe avantazhin që në Akademinë e Arteve hyra në një moshë pak më të madhe, se ato që kisha në vitet e studimit. Kisha një koshiencë më të zhvilluar, dhe dija se çfarë kërkoja. Gjithmonë kam qenë shumë këmbëngulës, shumë kërkues, kam kërkuar gjithmonë që të ja arrija asaj ëndrrës time, që të isha një ditë nëpër këto teatrot që i kishim parë vetëm nga larg. Me punë do thoja, me mençuri dhe duke bërë zgjedhjet e duhura ja arrita.
Portalb.mk: Cili është çelësi i gjithë këtyre sukseseve?
Josif Gjipali: Çelësi i gjithë këtyre sukseseve, është patjetër këmbëngulja, është ajo të themi dëshira e madhe për të studiuar gjërat sa më profesionalisht, për të kuptuar dhe për të perceptuar si bëhet, si duhet bërë, si e bëjnë të tjerët që kanë pasur sukses, dhe pa diskutim pastaj ka një rol të veçantë edhe zgjedhjet personale që i bënë, pasi karriera ndonjëherë është edhe çështje zgjedhjesh.
Portalb.mk: Pse u larguat nga Shqipëria apo dëshironit që karrierën tuaj ta zgjeroni nëpër botë?
Josif Gjipali: Pa diskutim kjo ishte jo vetëm dëshira dhe ëndrra ime, që të këndonte atje ku është zhvilluar lirika botërore, atje ku është bërë historia e lirikës botërore. Një gjë që jo vetëm unë e ëndërroja por të gjithë do ta ëndërronin. Plus pastaj që Shqipëria, me një teatro dhe opera, nuk mund të përmbushte kërkesat apo ekzigjencat e mija. Aq më tepër pastaj, që po ta them të vërtetën, nuk është se Teatri i Operas ka funksionuar me perfeksion, plus pastaj të shtojmë edhe gjërat e tjera ti themi gjërat shqip, siç duhen thënë, edhe sot që unë këndoj, kam kënduar në teatrot më të mëdha në botë, me emrat më të mëdhenj, tamam me ikonat e roleve që kanë performuar në teatrin e operas në Tiranë nuk është se kam pasur ndonjë ofertë.
Portalb.mk: Jeni tenor i klasit të parë duke luajtur në rolet më të rëndësishme të tenorit në Operat e mëdha, cila ka qenë sakrifica e juaj për të arritur gjithë këtë sukses?
Josif Gjipali: Sakrifica është shumë e madhe, por do të thosha se fillon mbas një faze të caktuar, pasi ti mund të kesh ndonjëherë fatin, që të gjendesh në momentin e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur, në orën e duhur dhe mund të të marrë treni të të çojë për një moment atje ku ke ëndërruar. Por gjëja më e vështirë është që ti të jesh i zoti, ta mbash atë që arrin, ajo pikërisht përbën fazën më të vështirë në çdo lloj fushe të artit, për çdo artist për të mbajtur atë standardin dhe për të ruajtur deri në fund.
Portalb.mk: Cila ka qenë periudha më e lumtur në karrierën tënde si artist?
Josif Gjipali: Karriera ka gjithmonë momente të bukura, ka herë herë edhe momente të vështira, pasi vareni ndonjëherë edhe nga fiziku, jo gjithmonë trupi i jonë i përgjigjet ashtu siç do donim. Megjithatë do të thosha që ky lloj arti edhe kur nuk je të themi në gjendje fizike të shkëlqyer, sërish të jep gjithmonë ato kënaqësitë dhe ato euforitë e veta, kudo që ti të performosh qoftë në Skala qoftë në një Teatër tjetër, prap lirika është e bukur sidomos kur ti jeton për të dhe je brenda saj.
Portalb.mk: Ju keni fituar edhe konkursin më të rëndësishëm të muzikës operistike në shkallë ndërkombëtare “Palçido Domingo” si e ndien veten me gjithë këto shpërblime në fund të çdo pune?
Josif Gjipali: Në fillimet e karrierës njeriu sidomos në këto fusha, kur ti shkon përballesh në konkurse të tilla para dikujt që është ikonë e kësaj performance, e këtij zëri, kur ti shkon këndon para Plaçito Domingos natyrisht që përgjegjësia është shumë e madhe. Në vitet e para, karriera është shumë e ngarkuar dhe ka aq shumë ngarkesë për të studiuar, për të mësuar saqë ti nuk ke shumë kohë që të mendosh. Por kur kalon një kohë dhe njeriu arrin një farë shkalle qetësie në mënyrën se si e shef jetën, apo si e jeton, qoftë edhe në fushën e tij të punës apo si themi ne me zanatin në zhargon, atëherë ti kupton që këto që ke bërë janë gjëra që ja kanë vlejtur dhe janë gjëra që japin kënaqësi kur i shikon pas një farë kohe.
Portalb.mk: Një këshillë deri te të rinjtë?
Josif Gjipali: Unë do ti këshilloja që të jenë më këmbëngulës, dhe të kërkonin të studionin sa më shumë, dhe të kërkonin të kuptonin si bëhet, si funksionin, të bëjnë gjithmonë, kjo do të ishte shumë e rëndësishme, me inteligjencë të bëjnë zgjedhjet e duhura, të kërkojnë gjithmonë që të mësojnë, nga ata që e kanë bërë vërtet zanatin, edhe nga ata që kur e kanë bërë kanë pasur një klas të caktuar, pasi në kohët e sotme jetojmë në kohë jo shumë të kthjellta, ka prishje të parametrave, ka munges të vlerave të vërteta, shumë e lehtë që për brezin e ri, që të ngatërrohet rrugës dhe të mos dal dot atje ku duhet.
Portalb.mk: Një mesazh nga ana juaj deri tek audienca e gjerë?
Josif Gjipali: Mesazhi im do të ishte, dëgjoni sa më shumë muzikë dhe jo vetëm muzikë. Merruni sa më shumë me art, ju do ta ndieni veten më të lumtur, do të ndiheni më të bukur brenda vetes tuaj dhe do ta jetoni realitetin, padyshim më të bukur dhe do të duket me ngjyra.