Teatri i Gostivarit fillon sezonin e ri, Rushiti: Plani për këtë vit është përgatitja e pesë shfaqjeve, njëra për fëmijë

Teatri i Gostivarit ka filluar me realizimin e programit për këtë vit, informoi drejtori i institucionit, Sulejman Rushiti. Plani për këtë vit është që të përgatiten pesë shfaqje, nga të cilat një për fëmijë. Në proces përgatitjeje tashmë është shfaqja “Cilindri” me tekst të Eduardo De Filipos, nën regjinë e Afrdita Nuhiut. Kjo shfaqje do të luhet në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Komedia “Cilindri” ka të bëjë me dy çifte të varfra shpikin një strategji për të siguruar jetesën: bukuroshja Rita shtiret si prostitutë dhe, pasi merr pagesën paraprake, i çon klientët në dhomën e saj. Kur u tregon atyre shtratin ende të zënë nga trupi i bashkëshortit të saj të ndjerë-i cili në të vërtetë është gjallë e mire-klientët ikin të tmerruar, falë edhe pranisë së Agostinos dhe cilindrit të tij, që e bën gjithçka të duket edhe më e zymtë.

Rushiti tha se do të përgatitet një tekst tjetër dramatik, i cili do të luhet para publikut në gjuhën maqedonase. Në shfaqjen që është komedi sipas zhanrit, do të luajnë aktorët Marko Dojoski, Irena Ilievska dhe Elizabeta Mladenovska, ndërsa regjia është e Eleonora Teovës. Kostumet për këtë shfaqje do të punohen nga Katerina Çuknieva, ndërsa skenografia nga Filip Korunovski. Regjisorja Teova shpjegoi se teksti “Maniaku” i Ratko Bijelçiq është bashkëkohor dhe trajton gjendjet që lindin nga lajmet e rreme në media.

Pamje gjatë konferencës. Foto: Sulejman Rushiti

Sulejman Rushiti Drejtor i Teatrit të Gostivarit, për repertorin e këtij viti të teatrit, ka theksuar se po zbatojnë konceptin dhe qasjen ndaj publikut sipas së cilës, siç tha ai, të paktën një herë në vit çdo qytetar i Gostivarit të vijë në një shfaqje. Problemet hapësinore mbeten aktuale dhe ndikojnë ndjeshëm në punën e tyre.

Drejtori Rushiti për Portalb tha se hapësirat janë problemi kryesor i mospasjes një repertori të rregullt.

“Pastaj është edhe mungesa e nxemjes që e pamundëson punën në muajt e dimrit”, tha Rushiti.

Në plan program përfshihet vetem një shfaqje për fëmijë.

“Ne nuk kemi në program shfaqje për fëmijë nga Ministria. Është një nismë e imja që për herë të parë të bëjmë një shfaqje për fëmijë. Do të jetë një kompilacion nga përrallat e Ezopit. Ideja është të prodhojmë shfaqje sa më argëtuese aq edhe edukative. Ka interes por ka shumë pak teatro apo projekte për fëmijë”, tha Rushiti.

Kultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri i Gostivarit