Kur rilexon “Princin e vogël” si i rritur, kupton se libri nuk është shkruar për fëmijët. Ose të paktën jo vetëm për ta. Është një libër për të rriturit që, me kalimin e kohës, kanë harruar disa të vërteta të thjeshta njerëzore.
Në botën e “njerëzve të ritur” të Princit të vogël, gjithçka matet me numra, rregulla, tituj, funksione dhe frikëra. Të rriturit janë të zënë duke llogaritur, kontrolluar dhe kategorizuar gjërat, por shpesh nuk arrijnë të kuptojnë atë që është më thelbësore. Dhe pikërisht aty qëndron bukuria e hidhur e librit: ai na kujton se disa gjëra që duken shumë të komplikuara politikisht apo institucionalisht, në të vërtetë janë shumë të thjeshta në esencën e njerëzores.
Këto ditë, ndërsa studentët paralajmërojnë sërish protesta për çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe duke përfshirë edhe në provimit të jurisprudencës, është e vështirë të mos mendosh pikërisht për këtë kontrast mes botës së “të riturve” dhe asaj që në thelb është shumë e qartë.
Sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Nuk është vetëm procedurë administrative. Nuk është vetëm çështje formularësh, vulash apo interpretimesh teknike. Gjuha është ndjenjë përkatësie. Është dinjitet. Është mënyra si njeriu mendon, ndjen, argumenton dhe ndërton raportin e tij me shtetin dhe shoqërinë.
Shpesh, debatet për gjuhën shqipe në këtë vend zhvillohen sikur bëhet fjalë për një kërkesë të tepërt, për një privilegj apo për një rrezik të fshehur ndaj shtetit. Dhe ndoshta problemi më i madh është mënyra se si ende vazhdohet të shihet kërkesa për barazi gjuhësore: jo si nevojë legjitime qytetare, por si kërcënim që duhet menaxhuar.
Në “Princin e vogël”, personazhet e rritur janë aq të përqendruar në mënyrën si duken gjërat, sa nuk arrijnë të kuptojnë esencën e tyre. Ndoshta edhe ne, si shoqëri, shpesh humbasim në interpretime politike, frikën identitare dhe debate juridike, duke harruar pyetjen më të thjeshtë: si ndihet një student kur gjuha e tij trajtohet vazhdimisht si problem?
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse protestat vazhdojnë të rikthehen. Jo sepse studentët kërkojnë diçka të jashtëzakonshme, por sepse po kërkojnë diçka që për ta është thelbësore: të ndihen të njohur dhe të barabartë brenda shtetit të tyre.
Një shtet multietnik nuk dobësohet nga gjuhët. Dobësohet nga mosbesimi. Nga ndjenja e vazhdueshme se disa qytetarë duhet gjithmonë ta arsyetojnë ekzistencën e tyre, identitetin e tyre, apo të drejtën e tyre për t’u trajtuar me dinjitet të plotë.
Prandaj, ndoshta pyetja nuk është vetëm juridike. Nuk është vetëm nëse diçka është e lejuar, interpretohet ndryshe apo mund të realizohet teknikisht. Pyetja është shumë më njerëzore: pse ende, pas kaq vitesh, ka të rinj që ndihen të detyruar të protestojnë për diçka që duhej të ishte normalitet?
Në fund të fundit, “Princi i vogël” na kujton se “gjërat thelbësore nuk shihen me sy”. Dhe ndoshta pikërisht kjo mungon më së shumti në debatet tona publike: aftësia për të parë përtej frikës politike dhe për të kuptuar dimensionin njerëzor të barazisë.
Sepse ndonjëherë, ajo që duket si debat për gjuhën, në të vërtetë është debat për pranimin. Për respektin. Dhe për të drejtën e njeriut që të mos ndihet i huaj në vendin e vet.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.