“Të rinjtë e papjekur”: pse radikalizohen? (III)

Literatura e lexuar: Nga viti 1990 e këndej në trojet shqiptare kemi botime islame me bollëk, nga të paktat pedagogjike, një numër predikuese të nivelit të dobët, misticiste që mezi duken, ato shkencore që ndjekin trendet globale dhe që kanë bërë nam ndër elitarët, deri te ideologjiket selefisto-vehabiste që me ngritje-rënie “manjetikisht” tërheqin numër të konsiderueshëm njerëzish. Në mesin e librave gjenden edhe syresh që bëjnë “brain wash”, larje të trurit, ideologjizim të lexuesit. Dhe lexuesi që s’ka thellësi, që është i paklexur, bie në kurthin e këtyre teksteve që janë atipike për vendin dhe kohën, që radhisin objektiva të x apo y ideologut martir që të pavdekshëm e kanë bërë veprat e tij. Shumë veta kanë rënë pre e leximeve të veta, që më pas e kanë vërejtur, por kthimi ka qenë ose i pamundshëm ose shumë i rëndë, nga është dashur që të bëhet një restart i mundimshëm, apo defundamentalizim i botëkuptimit dhe i mënyrës së jetesës.

Faktor tjetër i rdakializimit rinor mund të jetë edhe shpërfillja prindërore e detyrave familjare, e përgjegjësive ndaj pasardhësve, komunikimi i paktë, të menduarit vetëm për paratë, ekonominë, ekzistencën e të ngjashme. Nëse në një familje nuk gjendet kohë për biseda spontane, për buzëqeshje në vakte të ditës, por edhe për debate serioze, kemi të bëjmë me një çalim edukativ shumë serioz. Fëmija do të gjejë dikë tjetër që do t’ia plotësojë këtë zbrazëtirë, qoftë fizikisht, qoftë virtuelisht, mes tjerash edhe për fenë. Dhuna familjare, mosmarrëveshjet në raportet baba-nënë mund ta largojnë fëmijën dhe ta shpien në një ambient ku ai gjen qetësinë, ku dikush tjetër ia kompenson prindërimin e dështuar. Te izolimi dhe kalimi në ishullin e fesë apologjike, që të mbron nga “tagutët”, djajtë e kohës, mund të ndikojë edhen degjenerimi dhe antivlerat e kohës, sipas formulës “sex, drug and rock and roll”, degradimi moral i përhapur gjithandej, kriza spirituale e epokës sonë, që krijojnë animozitet ndaj vlerave oksidentale që perceptohen si devijante e të ngjashme. Pra për të ruajtur veten nga “bileta e humnerës”, shumë të rinj zgjedhin që të bëhen tok me fenë e cila të mban në distancë nga këto forca që “të grijnë apo shkrijnë identitatrisht dhe fetarisht”. Kjo në veçanti vlen për diasporën ku ndjehet një vetmi identitare, një margjinalizim dhe minoritarizëm nga i cili kërkohet arratisja që gjehet në diçka që është “different voice” (zë ndryshe), ku s’të arrin furia apo tornadoja e “tjetrit”.

Dikush mund ta shohë këtë shkrim si ekzagjerim në kohën kur pa ju bërë syri tër vrasin dhjetëra mijë muslimanë me metodat më barbare, por logjika thotë se janë pikërisht kjo kategori njerëzish “të infektuar” me islamizëm militar që shkaktojnë dhe rrisin urrejtjen ndaj muslimanëve, pasojat e të cilit i hetojmë në çdo cep të globit. Kur merret parasysh edhe gjendja inferiore e botës islame, konstatojmë se profilizimi i muslimanëve të mirëfilltë,  garues me vlerat autentike të kohës (nga profesionalizmi deri te shkenca) është rrugëdalja nga ky ambis në të cilin ummeti për momentin ka rënë. Andaj është shumë me rëndësi që rinia t’i shmangen sipërfaqësisë “çka fluturon hahet”, duhet edukatë dhe pratikë bazike prindërore që fëmijët të mos përjetojnë hope të këtilla irracionale që nuk sjellin kurrfarë rezultatesh në terren, përkundrazi viktimizojnë miliona, në mos edhe miliarda njerëz që me dekada, madje edhe gjithë jetën, punojnë në ndërtimin e kullës së imazhit të islamit dhe të muslimanëve në mikra dhe makro plan.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit