Të martën në Tetovë do të mbahet panel diskutimi në temën “Kriza e të lexuarit te të rinjtë”

Të martën më (25 shkurt) në Bibliotekën e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë me fillim nga ora 12:00 do të mbahet panel diskutimi në temën “Kriza e të lexuarit te të rinjtë”, transmeton Portalb.mk.

Aktiviteti organizohet nga Biblioteka e Universitetit të Evropës Juglindore në bashkëpunim me Unionin e Nxënësve të Shkollës së Mesme Komunale Medicinale “Nikolla Shtejn” në Tetovë.

Ky panel do të trajtojë sfidat dhe shkaqet e rënies së leximit tek të rinjtë, si dhe strategjitë për të nxitur kulturën e leximit në kohën e teknologjisë dhe mediave digjitale.

Azra Alija nxënëse në shkollën e mjekësisë, gjithashtu autore e disa librave, do të jetë pjesë e këtij panel diskutimi. Alija për Portalb.mk tha se leximi po bie nga ndikimi i faktorëve negativ në rrethin shoqëror.

“Leximi po bie fatkeqësisht si pasojë e ndikimit të madh të faktorëve negativ në shoqëri. Ky ndikim i tepërt negativ ndikon në psikologjinë e të rinjëve, vëmendjen e tyre e tërheq turma që nuk po e shmangin dot. Nëse do ishte një faktorë do luftonim të vetëm. Por duke e marë parasysh se ekzistojnë disa, atëherë ia vlejnë ti luftojmë së bashku”, tha Alija.

Ailja gjithashtu dha idetë e saj për promovimin e leximit.

“Çdo nismë me ndikim pozitiv një ditë do e arrijë qëllimin.Nëse ne bashkohemi dhe i luftojmë padrejtësitë mundi ynë do shpërblehet me dije dhe arsim një ditë pikërisht kjo është esenca. Ne mund të promovojmë shumë duke filluar nga vetja fillimisht e deri të arrijmë tek ndryshimet në shoqëri, ndikimin pozitiv tek ata, iniciativa për përmirësim të teksteve dhe librave shkollorë që nxënësit kanë ankesa vazhdimisht, krijimi i ideve të reja që kontribuojnë në përparim të shoqërisë, pajisja me libra nëpër shkolla të ndryshme,aktivitetet me pjesëmarrës ndikues e shumë tjera. Ne thjesht kërkojmë përkrahje që të fillojmë ti luftojmë këto fenomene që ndoshta po e shkatërrojnë shoqërinë e aktualitetit”, tha Alija.

Në këtë panel do të diskutohen tema të ndryshme si:

  • Sa lexojmë sot dhe pse kjo çështje është e rëndësishme.
  • Pse po bie leximi.
  • Eksperiencat personale dhe Mendime.
  • Ide për promovimin e leximit etj.

Panelistët e këtij panel diskutimi do të jenë:

  • Demush Bajrami, Dekan i Fakultetit të Guhëve, Kulturave dhe Komunikimit,
  • Fuat Shaini, profesor në Shkollën e Mesme Komunale Medicinale “Nikolla Shtejn”,
  •  Meral Veseli, profesoreshë në Fakultetin e Guhëve, Kulturave dhe Komunikimit,
  • Shpresa Hasani, lektore/koordinatore e Fakultetit të Guhëve, Kulturave dhe Komunikimit.
Kultura shqiptareKulturë lajmeUniversiteti i Evropës Juglindore (UEJL)