Të martën do të bëhet spërkatje kundër mushkonjave në Shkup

Të martën, më 18 gusht, në territorin e Qytetit të Shkupit do të kryhet dezinsektimi tokësor kundër larvave të mushkonjave. Dezinsektimi tokësor nënkupton që trajtimi kryhet drejtpërdrejt nga toka, përkatësisht me automjete dhe pajisje që lëvizin në terren, dhe jo me avion ose helikopter, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi është të trajtohen vendet ku shumohen mushkonjat, veçanërisht ujërat e ndenjura dhe sipërfaqe të tjera të përshtatshme.

Nga Qyteti i Shkupit informojnë se, nëse kushtet atmosferike nuk lejojnë kryerjen e dezinsektimit më 18 gusht, ai do të realizohet ditën e parë pasuese me kushte të favorshme atmosferike.

U rekomandohet bletarëve që me kohë të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve.

Dezinsektimi kundër larvave është një nga masat për reduktimin e numrit të mushkonjave para se ato të arrijnë fazën e rritur.

Dezinsektim - DeratizimQyteti i Shkupit