Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se të hënën do të ketë bllokim të kalimit kufitar për transportuesit e mallrave nëpër pikat kufitare, transmeton Portalb.mk.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është dorëzuar njoftimi për mbajtjen e një proteste publike nga shoqata “Makam-trans”, e cila është paraparë të fillojë më 26.01.2026 në orën 12:00. Sipas njoftimit të dorëzuar, protesta është planifikuar të realizohet në pikat kufitare si në vijim: Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllacë dhe Bllatë”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.
Policia sqaroi që nuk do të ketë ndërprerje në lëbvizjen e automjeteve të udhëtarëve, autobusëve dhe automjeteve që trasnportojnë ilaçe, bagëti, materie të rrëzikshme dhe dërgesa të tjera me prioritet.
“Protesta do të manifestohet me kufizimin e qarkullimit për mjetet transportuese motorike, përkatësisht me mbylljen e korsive dhe terminaleve të destinuara për qarkullim mallrash”, raportoi Policia, duke theksuar se protesta pritet të zgjasë shtatë ditë.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Republikën e Kosovës ka paralajmëruar se do të mund të krijohen kolona të gjata në kalimet kufitare.
“Si pasojë e kësaj proteste, do të mbyllet qarkullimi për transportuesit e mallrave. Protesta do të mbahet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në territorin e Republikës së Kosovës mund të krijohen kolona të gjata kamionësh, të cilët do të presin për të kaluar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, raportoi Qendra.