Qeveria dhe presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova kanë disa kërkesa ndaj Bashkimit Evropian në lidhje me integrimin evropian, por është e qartë se ato nuk mund të përmbushen sepse janë joreale, thotë lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe. Kjo, siç shton ai, i është thënë udhëheqjes aktuale shtetërore nga të gjitha institucionet e BE-së, nga të gjithë zyrtarët evropianë dhe liderët e vendeve të mëdha evropiane, transmeton Portalb.mk.
Sipas liderit të partisë opozitare, kërkesat joreale për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit janë në fakt vetëm justifikim për qeverinë që ta mbajë vendin të izoluar nga BE-ja.
“Nuk ka shpjegim tjetër kur tashmë është e qartë për të gjithë se kërkesat e tyre janë praktikisht joreale dhe janë vetëm arsye për të mos bërë hap përpara drejt Bashkimit Evropian”, tha Filipçe në brifingun e sotëm me gazetarë.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në fjalimin e saj vjetor para deputetëve, tha se pa garanci të qarta nga BE-ja dhe Bullgaria dhe pa mekanizma mbrojtës të përshtatshëm, me një ndryshim tjetër kushtetues, siç tha ajo, rrezikojmë të dalim nga procesi, ashtu si plaku i Hemingway-t doli nga deti, vetëm me kocka peshku dhe një identitet kombëtar dhe kulturor të zhveshur.
“Që negociatat midis Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian të vazhdojnë, nevojitet vullnet politik, i yni, por edhe i Unionit. Ne kemi propozuar disa zgjidhje politike, dhe BE-ja duhet të zgjedhë njërën prej tyre ose të gjejë vetë zgjidhje. Nëse mund ta bëjë këtë për Ukrainën dhe Moldavinë, mund ta bëjë edhe për vendin tonë”, tha ajo.
Kujojmë se zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kanë deklaruar hapur se topi është në fushën e Shkupit dhe se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë hapje të kapitujve negociues.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.