Të dhënat ngrenë alarmin për shëndetin mendor dhe seksual te të rinjtë në RMV, por për këto flitet pak (Video)

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë që të punohet me to më shumë dhe të kenë informatat e duhura në drejtim të shëndetit mendor, mirëqenies së tyre dhe edukimit seksual. Këtë e theksuan profesionistët e fushës nga Tetova, të cilët apeluan që të flitet sa më hapur për këto tema, shkruan Portalb.mk.

Elizabeta Bozhinoska, drejtoreshë programi në HERA tregoi se të rinjtë në vendin tonë do të mund të ndihen praktikisht të sigurt dhe të diskutojnë të gjitha temat që janë me interes për shëndetin e tyre, dhe nëse kjo si mundësi u ofrohet në tavolinat e shkollës, ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës.

“Vitin e kaluar përmes një pjese të shërbimeve tona mbuluam 3500 persona, nga të cilët 1 e treta ose 1000 ishin pikërisht të rinj që kishin mbështetje nga nevoja për mbrojtje kundër parandalimit të dhunës, edhe ata që kanë probleme të ndryshme dhe kanë nevojë për shërbime psikologjike si dhe shërbime shëndetësore”, tha Elizabeta Bozhinoska.

Ajo theksoi se përvoja e tyre nga tereni tregon se të rinjtë kanë nevojë për edukim gjithëpërfshirës seksual, gjithashtu se të rinjtë kanë nevojë për hapësirë ​​të sigurt ku të mund të pyesin për të diskutuar se si t’i zgjidhin problemet e tyre.

Edukimi seksual nuk i mëson nxënësit se si të kryejnë marrëdhënie seksuale, por i mëson ata të njohin më mirë trupin e tyre, dhunën, shëndetin dhe shumë tema tjera. Ajo madje theksoi se si pasojë e mungesës së informacionit, në vendin tonë ka shumë lindje te të miturit.

“Të rinjtë duhet të mësojnë edukim gjithëpërfshirës seksual, i mëson ata se si t’i thonë jo presionit për seks të parakohshëm që mund të jetë i padëshiruar dhe mund të jetë i pambrojtur”, tha Elizabeta Bozhinoska.

Ajshe Ajrullai nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit theksoi e kanë kërkuar baza mbi të cilat mund të kujdesen mbi shëndetin e nxënësve, dhe se kanë gjetur bazë në Ligjin për arsimin fillor, ku siç tha ekziston parimi se shkollat duhet të kujdesen për shëndetin e përgjithshëm e nxënësve dhe për mirëqenien e nxënësve.

“Në këtë drejtim shkon edhe përpilimi i programit në lidhje me edukimin e tyre gjithëpërfshirës në aspekt të shëndetit të tyre seksual, dhe në këtë drejtim Byroja e Zhvillimit të Arsimit fillimisht në bazë të hulumtimeve bëri një pilotim të këtij programi për edukim gjithëpërfshirës seksual.. Në bazë të reformave të fundit të arsimit fillor të ju mundësohet nxënësve të klasave të nënta, gjegjësisht të moshës 15 vjeçare të kenë mundësinë të përzgjedhin një lëndë për edukim gjithëpërfshirës seksual dhe që do t’i edukojë të rinjtë për të sjellë vendime të informuara dhe gjithsesi të kujdesen shumë më tepër për shëndetin e tyre seksual”, deklaroi Ajshe Ajrullai.

Si edukimi seksual është në funksion të avancimit të shëndetit mendor?

Profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Tetovës, Sheruze Osmani Ballazhi thekson se këto katër vitet e fundit në veçanti dukuria e shëndetit mendor është mjaft e aktualizuar dhe disi pak më tepër të zëshëm dhe vigjilent janë të rriturit kur bëhet fjalë për fëmijët, realisht për adoleshentët.

“Pikërisht është ajo periudha kur ata janë në potencialin më të hovshëm të zhvillimit të tyre, në këtë aspekt edukimi special pikërisht është në funksion të avancimit të shëndetit mendor, nëpërmjet prizmit se edukimi seksual është i orientuar edhe i bazuar në të drejtat e njeriut dhe është i bazuar në principin e kënaqësisë, në këtë funksion është e orientuar në rritje dhe zhvillim të kapaciteteve të adoleshentëve, të sjelljes së vendimeve duke u bazuar në informatat relevante për shkak se atyre u ndodhin ndryshime të mëdha në këtë periudhë, ky edukim ju ofron të dhënat që janë relevante dhe shkencore në lidhje me karakteristikat se çfarë ndodh me trupin e tyre, si zhvillohen, por nga ana tjetër njëjtë të pranimit të sjelljeve që ndoshta jo edhe aq janë të dëshirueshme dhe dalin nga rolet gjinore të cilat vendosen nga normat shoqërore”, tha Sheruze Osmani Ballazhi.

Nga ana tjetër, Rron Gjinovci nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim “ORCA” theksoi se në Kosovë po ashtu si në RMV dhe në vendet e rajonit nuk është se punohet shumë në këtë drejtim apo që ka programe të avancuara për shëndetin mendor të të rinjve dhe mirëqenien e nxënësve në përgjithësi.

“Këtë më së miri na tregojnë rezultatet PISA për të gjithë vendet e rajonit ku të rinjtë tanë përballen me probleme elementare të dijes siç është dija për të lexuar. Kjo tregon mjaft për mënyrën se si trajtohen nxënësit dhe të rinjtë në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në shoqëritë tona për shkaqe të ndryshme kulturore, ekonomike dhe politike tema ndonëse nuk është tabu për të cilën bën të flitet nuk është e pëlqyeshme dhe nuk është temë për të cilët njerëzit flasin publikisht lirisht”, tha Rron Gjinovci.

Fjalë rasti pati edhe Ambasadori i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Cyril Baumgartner

Këto komente u bënë gjatë ngjarjes “Sa të rëndësishme janë programet edukative për mirëqenien dhe shëndetin mendor të të rinjve” që u organizua në Shtëpinë e Evropës (Europe House) në Tetovë, nga Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim “HERA”.

Kjo ngjarje si qëllim pati që të rinjtë dhe profesionistët si pedagogë, psikologë, punonjës socialë dhe shëndetësorë të diskutojnë për nevojat, mundësitë dhe sfidat për integrim të mëtejshëm në përmbajtjet shkollore të parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna, përmirësimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies te të rinjtë.

Ambasada e Francës në RMVArsimtar(e) Mesues(e) MësimBarazi gjinoreByroja për Zhvillimin e Arsimit RMV (BZHA)Edukim seksualShëndeti mendorShoqata HeraTë rinj - Rini - Rinia