Të dashurohesh me shkencën në një kohë të dominuar nga teknologjia, filloristi Belul nga Kërçova e ndau përvojën e tij

Në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale shpesh dominojnë vëmendjen e të rinjve, shkolla fillore “Sande Shterjoski” në Kërçovë po përhap një valë frymëzimi përmes projekteve dhe eksperimenteve edukative që zgjojnë dashurinë e nxënësve për shkencën. Mes tyre, Belul Veliu, nxënës i klasës së 9-të, ndau përvojën e tij dhe dashurinë për kiminë, transmeton Portalb.mk

Veliu për Portalb.mk u shpreh se në kohën kur shpesh dëgjojmë për mungesë motivimi apo mundësish në shkolla, shkolla ku mëson ai është bërë një shembull ndryshe.. 

“Lënda e kimisë është kthyer në një aventurë të gjallë. Dhe shumë projekte tjera që na u dha mundësia t’i realizojmë. Por kjo në veçanti dua ta ndaj me ju. Kemi realizuar shumë eksperimente interesante dhe edukative, që na kanë bërë të dashurohemi me shkencën”, tha Veliu. 

Ai shtoi se në klasat e tyre, flaka e dijes ndizet çdo ditë, jo vetëm në teori, por edhe me dorë, me përjetim. 

“Dua që të gjithë të kuptojnë se edhe në shkollat tona, edhe në qytetet tona, rriten yje të rinj-mjafton t’u jepet mundësia të ndriçojnë”, tha Veliu. 

Nga ana tjetër, drejtori i shkollës, Bekim Jusufi për Portalb.mk tha se përtej festave tradicionale kanë realizuar edhe shumë projekte të tjera në interes të fëmijëve. 

“Ne kemi zgjedhur të ecim përtej kalendarit, drejt krijimit të një kulture të gjallë shkollore. Projektet janë të shumta”, tha Jusufi. 

Jusufi edhe më tej deklaroi se këto projekte kanë ndikuar në rritjen e njohurive dhe ndezjen e kurajës. 

“Do të ishte kufizuese t’i quanim këto projekte “aktivitete”, ato janë proceset e brendshme të një transformimi të thellë psiko-pedagogjik, një udhëtim që ka ndikuar jo vetëm në rritjen e njohurive, por në formësimin e karakterit, fuqizimin e vetëdijes dhe ndezjen kurajës. Sepse ky është qëllimi i arsimit fillor, nxënësit të shikojnë më thellë. Të mendojnë më lirë. Të ëndërrojnë pa frikë. Të shprehen lirshëm , të krijojnë bazën e një karakteri të fortë”, tha Jusufi. 

Ai theksoi se duhet të ketë aktivitete më të shumta që të rritet interesi i fëmijëve për shkencën dhe sferat e tjera në përgjithësi. 

“Nuk mjafton vetëm të ndërtojmë mure me informacione. Një eksperiment i thjeshtë në klasë mund të ndezë një dashuri për shkencën. Një rol i vogël në një dramë mund të zgjojë një aktor të heshtur. Një gol në një lojë shkollore mund të frymëzojë një sportist që s’besonte në vetvete. Sepse, edhe nga provoja si mësues, edhe nga provoja si prind fëmijët nuk ndriçohen gjithmonë nga udhëzimet, por nga drita që u ndizet brenda kur ndihen të kuptuar dhe të lirë të zbulojnë”, tha Jusufi. 

Ai mes tjerash potencoi se fëmijët kanë nevojë për një shkollë që i mëson por edhe që i frymëzon.

Kultura shqiptareKulturë lajmeShkolla fillore