Tashmë jemi të vjetër për t’u kthyer në shtëpi

Poezi nga Oriada Dajko

Unë dhe ti kemi me mijëra vite që largohemi prej vetes

dhe sot që i ngjajmë vetvetes më pak se kushdo tjetër,

tashmë jemi shumë të vjetër për t’u kthyer në shtëpi,

nuk do të guxonim të hidhnim një hap drejt saj

se jemi mësuar në të qënit larg.

Ne kemi me mijëra vite që kalojmë pranë shtëpisë

dhe çdo herë mbetemi në prag.

Gjithmonë është diçka që na mban larg,

një zë, një perëndim a një gjysmë fjalë.

A ndoshta jemi vetë ne që e pyesim njëri-tjetrin:

“Kur është hera e fundit

që e ke parë në ëndërr atë shtëpinë?”

Të tillë janë njerëzit edhe në parajsë

do t’i marrë malli për të ashtuquajturën shtëpi

Vetëm se shtëpia e njerëzve si unë,

shtëpia e njerëzve si ti

është një dikur, një nesër, një letër, një kurrë.

E jona është një shtëpi që nuk ekziston

askund tjetër përveçse në fëmijërinë tonë.

Jemi ne ata që pasi nuk përkasim në atë së duam,

thjesht nuk mund të përkasim më askund.

Jemi ne njerëzit që shkojnë

me të gjitha stinët e mbyllura brenda vetes.

A thua sikur zogjtë,

vetëm zogjtë mund t’i shpëtojnë stinët brenda nesh?!

Poezi