Taravari pas deklaratës së Snopçes: Duhet të konsultohemi dhe të sinkronizohemi më shpesh me partnerët e qeverisë

Marrëdhëniet mes partnerëve qeveritarë janë korrekte, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë, por duhet konsultime dhe sinkronizim më i shpeshtë mes partive në pushtet, sipas ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, pjesë e koalicionit “VLEN”, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e bërë nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të OKB-së, i referohet deklaratës së fundit të deputetit Halil Snopçe, i cili tha se “VLEN” do të largohet nga koalicioni qeveritar nëse miratohet ligji për mbrojtësit. Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, e komentoi këtë: “I qoftë me fat”.

“Mund të them se raportet mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së janë mjaft korrekte. Në nivelin e kryetarëve të partive. Natyrisht, edhe ‘VLEN’ dhe VMRO-DPMNE kanë struktura partiake. Ndoshta ka pasur ndonjë keqkuptim të vogël diku që nuk mund të them të njëjtën gjë për ZNAM dhe ‘VLEN’. Mirëpo, marrëdhëniet mes partnerëve në koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ku ‘VLEN’ dhe ZNAM janë korrekte dhe jemi munduar që këto njëqind ditë të jemi sa më të sinkronizuar, por diku ka pasur keqkuptime, diku ka pasur shpërthime që nuk kanë qenë të koordinuar siç duhet, prandaj na duhet kohë për t’u sinkronizuar totalisht dhe plotësisht dhe që kjo të shihet edhe nga qytetarët”, tha ministri i Shëndetësisë nga Nju Jorku.

Sipas Taravarit, reagimi i Snopçes në lidhje me ligjin për “branitellat” ka qenë ashtu siç duhet, por ai shpreson se shumica qeveritare do të ketë koordinim për ta tejkaluar këtë problem të vogël, siç tha ai, për të cilin e drejtoi gishtin nga LSDM dhe BDI, duke vlerësuar se janë të koordinuar për të nxitur përçarje në koalicionin qeverisës.

“Përgjithësisht mendoj se kur planifikojmë të sjellim diçka si qeveri, duhet të sinkronizojmë dhe të njoftohemi nga njëri-tjetri, ndaj edhe reagimi i zotit Snopçe ka qenë në këtë drejtim. Pra, ne nuk jemi të njoftuar, jemi në thelb kundër çdo gjëje që të kalojë pa rënë dakord mes nesh. Reagimi i Snopçes ka qenë ashtu siç duhet dhe shpresoj se do të kemi koordinim mes nesh dhe do ta kalojmë këtë problem të vogël që po e provon BDI-ja me LSDM-në. Mendoj se janë të koordinuar për të vënë, për të hedhur shkëndija në funksionimin e koalicionit në shumicën qeverisëse”, tha Taravari.

Deputeti Halil Snopçe pardje në një dalje televizive tha se nëse shfuqizohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, por edhe nëse miratohet ligji për “branitellat”, koalicioni “VLEN” do të largohet nga Qeveria.

I pyetur për të komentuar deklaratën e Snopçes, kryeministri Hristijan Mickoski tha shkurt: “I qoftë me fat”.

Para dhjetë ditësh Mickoski deklaroi se “branitellat” e kanë pasur, kanë dhe do ta kenë mbështetjen e tij, por se qëllimi i ndryshimeve në Ligjin për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë është rikrijimi i tensioneve dhe intolerancës etnike.

“Këtë ligj që dje ishte në rend dite e ka dorëzuar deputetja Sllavjanka Petrovska, pra LSDM-ja, dhe ajo që është interesante është se kur u votua nevoja për miratimin e rendit të ditës, LSDM-ja u largua nga seanca. Pse po e përmend këtë, sepse vetë deputetja dhe LSDM-ja nuk po e dorëzojnë ligjin sepse u mendojnë mirë “branitellave”, por për të krijuar këtë situatë, sërish për tensione etnike, intolerancë sepse do të jetë karta me të cilën ata dhe partitë e tjera pa dallim, nga nga blloku maqedonas apo shqiptar do të luajnë në periudhën në vijim”, tha atëkohë Mickoski.

Ligji për “branitellat” ka shkaktuar reagime të shumta në partitë politike dhe opinionin publik në periudhën e kaluar.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, duke komentuar ligjin për “branitellat” të propozuar nga deputetja nga opozita e LSDM-së dhe ish-ministre e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, para dy ditësh nga Nju Jorku tha se ligji për “branitellat” është provokim dhe nuk do të kalojë, dhe se ky ligj ka ngecur në sirtarët e Kuvendit.

“Konsideroj se edhe LSDM-ja edhe BDI-ja patën kohë të mjaftueshme për të miratuar një ligj të tillë në tetë vjet. Dhe në këtë mënyrë BDI ta zgjidhë çështjen me pjestarët në 20 vitet e fundit. Sllavjanka Petrovska, e cila ishte ministre e Mbrojtjes dhe mbrojti konceptin civil, tani është iniciatore e ligjit për “branitellat”, tha ai.

Ndryshe, pasi kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, nga Aleanca për Shqiptarët, e cila është pjesë e koalicionit “Fronti Evropian” të udhëhequr nga BDI, javën e kaluar refuzoi caktimin e seancës së këtij organi parlamentar për projektligjin, këtë nuk e ka bërë as kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Petrovska sot në një konferencë për media tha se deputetët e LSDM-së do të kërkojnë që Komisioni për Rregullore dhe Mandat të diskutojë nëse kryetari Afrim Gashi e ka shkelur Rregulloren e Kuvendit me moscaktimin e Komisionit për Politika Sociale, Demografia dhe Rinia për Ndryshimet e propozuara në Ligjin për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe familjarëve të tyre.

Thirrja e djeshme e VMRO-DPMNE-së u cilësua si një kthim prapa nga deputetët e LSDM-së, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, që të nënshkruhen në kërkesën drejtuar kryetares së këtij organi, Ilire Dauti, të thërrasë seancën dhe propozim-amandamentet e Ligjit për “branitellat” ta vendosin në rend dite.

Arben TaravariHalil SnopçeKonflikti lufta e 2001 RMV