Taravari: Me partneritet publiko-privat do të ndërtohen dy garazhe montuese në rrethin e Qendrës Klinike

Qeveria ka sjellë vendim që me partneritet publiko-privat në rrethin e Qendrës Klinike “Nëna Terezë” në Shkup të ndërtohen dy garazhe montuese në kate që të tejkalohet problemi me parkimin, ndërsa për këtë është punuar studim fizibiliteti. Këtë e zbuloi në Televizionin Sitel ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Sipas tij, me këtë do të sigurohen trefish më shumë vende për parkim, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.mk.

“Garazhet montuese në kate dhe më shumë vend-parkingje të organizuara të cilët do të jenë me partner privat”, tha Taravari.

Ministri, i cili ishte për vizitë në Klinikën e Onkologjisë, tha se është biseduar që të paktën një pjesë e pacientëve terapinë ta marrin në “8 Shtatori”, Tetovë dhe Manastir.

“Të shohim disi të mos vijnë numër i madh i pacientëve në Shkup për shkak se edhe atje pacientët e Onkologjisë janë të kufizuar. Mora informatë e cila është e tmerrshme. Do të duhet të ulem të bisedojë me ministren e Financave para rebalancit të parë të buxhetit. Na mungojnë numër i madh i infermiereve, flas për Onkologjinë, radiologë teknik, fizikantë dhe mjekë, të shohim të hënën do të ulem të bisedoj edhe me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë që të bëjmë ndonjë strategji për specializimet”, tha Taravari.

Ministri ishte për vizitë në Institutin e Patologjisë, siç tha, ka vetëm 11 patologë dhe për këtë arsye vonohen aq shumë rezultatet.

“Në gjithë shtetin ka 40 patologë, që është numër i vogël”, tha Taravari dhe shtoi se duhet të gjendet mënyrë që të motivohen mjekët e sapo diplomuar që të specializojnë në radiologji dhe onkologji.

Ai konfirmoi se po mendohet për rritje të rrogave të mjekëve, por siç theksoi, kjo nuk është vetëm vullnet i mirë i ministrit.

Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi se javën e ardhshme do të shkojnë në Kuvend ndryshimet e ligjit për shëndetësi me të cilët hiqen drejtorët ekonomik.

Arben TaravariKlinika e Onkologjisë ShkupMinistria e Shëndetësisë (MSH)Qendra Klinike ShkupSpital(e)