Presidenti kinez Xi theksoi gjatë deklaratës së shkurtër për shtyp në Shtëpinë e Bardhë çështjet konkrete, veçanërisht ekonominë dhe tregtinë: “Ne duhet të bashkëpunojmë me sinqeritet. Kina mbetet e hapur për kompanitë amerikane që duan të investojnë dhe të angazhohen në vendin tonë. Në të njëjtën kohë, shpresoj që kompanitë kineze të trajtohen në mënyrë të drejtë në Shtetet e Bashkuara,” tha Xi në vizitën e tij në SHBA, transmeton Dojçe Vele (DW).
Presidenti kinez foli edhe për temën e ndjeshme të inteligjencës artificiale: Ai paralajmëroi se zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të mbetet nën kontroll dhe të vihet në shërbim të njerëzimit. Trumpi, përkundrazi, vuri theksin te potenciali i teknologjisë, duke folur për “superinteligjencën” si një mundësi për të nxitur paqen dhe prosperitetin në vitet dhe dekadat që vijnë.
Pak rezultate
Por ku janë rezultatet konkrete të këtij takimi? Përveç zgjatjes me dy muaj të asaj që mund të quhet një lloj “armëpushimi” në mosmarrëveshjet për tarifat doganore dhe tregtinë, si edhe angazhimit për të pezulluar deri më 10 janar tarifat e larta ndëshkuese dhe kufizimet e eksportit, çfarë është arritur realisht? Nuk u bënë të ditura përparime konkrete për temat më të debatueshme, nga inteligjenca artificiale dhe statusi i Tajvanit, te ndikimi i Kinës në Iran apo mbështetja kineze për Rusinë në luftën në Ukrainë. Mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Kinës mbeten të shumta. Nga tregtia, çipat dhe inteligjenca artificiale deri te Tajvani, Irani dhe lufta në Ukrainë, lista e çështjeve konfliktuale është e gjatë dhe deri tani pa zgjidhje të qarta.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio theksoi se edhe mbajtja e hapur e kanaleve të komunikimit me Kinën, rivalin kryesor strategjik të SHBA-së, ka vlerë në vetvete. “Kjo është ekonomia e dytë më e madhe në botë, me një ushtri mjaft të fuqishme, e cila po kalon ndoshta procesin më të shpejtë të armatosjes në histori,” tha Rubio.
Ka kritika ndaj presidentit Trump për mënyrën e pritjes së presidentit kinez. Senatori demokrat Chris van Hollen u shpreh shumë ashpër: “Presidenti Trump bie vazhdimisht pre e një vetëmashtrimi. Ai përpiqet t’u bëjë lajka udhëheqësve autoritarë si Putini apo Xi, duke besuar se kështu mund të arrijë atë që dëshiron. Kjo është krejtësisht e gabuar. Trump mund ta konsiderojë veten negociatorin më të mirë në botë. Por fakti është se këta udhëheqës të huaj po i hedhin hi syve Shteteve të Bashkuara dhe po përfitojnë prej tyre.” Vizita e Xi Jinpingut nuk ka hasur vetëm në kritika nga demokratët. Edhe republikanë të afërt me Trumpin kanë shprehur rezerva ndaj ceremonive madhështore të organizuara për liderin kinez. “Nuk do t’i kisha këshilluar presidentit një pritje kaq pompoze për Xi Jinpingun”, tha senatori republikan Roger Wicker.