Synimi i Beogradit sfidoi balancat gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, vlerësuan njohësit

Formimi i aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë ka ngjallur reagime të forta në Serbi, ku zyrtarët serbë sërish e kanë cilësuar atë si një bosht të drejtuar kundër interesave të tyre. Si kundërpërgjigje, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka paralajmëruar mundësinë e krijimit të një blloku me Hungarinë derisa mediat serbe e kanë përmendur edhe Sllovakinë. Njohës të sigurisë thonë se krijimi i një blloku të ri, ashtu siç u paralajmërua nga Serbia, mund të ndikojë në balancën gjeopolitike të rajonit, raporton Koha.net.

Zyrtarët serbë kanë vijuar të dramatizojnë pas krijimit të aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, tek e quajtën bosht të drejtuar kundër Serbisë. Si kundërpërgjigje, ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka përmendur krijimin e një aleancë të ngjashme me Hungarinë, derisa mediat serbe nuk e kanë përjashtuar as Sllovakinë, duke i konsideruar shtete mike të Serbisë.

“Mendoj se gjithçka që forcon kapacitetin e Serbisë për të vepruar në mënyrë të pavarur në arenën ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe për të rritur nivelin e sigurisë së të gjithë qytetarëve, është pozitive. Ajo që është arritur në marrëdhëniet me Hungarinë në 12 vjetët e fundit, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes historike për Pajtimin Kombëtar, është pjesë e trashëgimisë për brezat e ardhshëm”, tha Gjuriq.

Veç qëndrimeve kundër Kosovës, kryeministri hungarez, Viktor Orban, është i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse, ani pse shteti i tij është vend anëtar i NATO-s dhe BE-së.

“Blic” i Serbisë ka cituar edhe diplomatin Zoran Milivojeviq, që tha se një nismë e tillë duhet të konsiderohet edhe me Sllovakinë.

Njohësi i sigurisë, Bejtush Gashi, paralajmërimet e tilla nga Serbia i sheh në kuadër të një game të gjerë mekanizmash për të ruajtur dhe thelluar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

“Serbia ka kërkuar gjithmonë të ruajë një pozicion neutral ushtarak dhe të thellojë marrëdhëniet me fuqitë tradicionale si Rusia, ndërkohë që është gjithashtu e interesuar të zhvillojë lidhje me shtete të tjera, përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë. Ky hap mund të shihet si një mundësi për Serbinë të thellojë bashkëpunimin ekonomik dhe politik në rajon dhe të sigurojë mundësi alternative për mbrojtjen e interesave të saj, veçanërisht në një periudhë kur ndikimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është gjithnjë e më i dukshëm në Ballkan”, tha Gashi.

Ai shton se një marrëveshje mes Serbisë dhe shteteve si Hungaria dhe Sllovakia mund të ndikojë në balancën gjeopolitike të rajonit.

“Kjo mund të sjellë një ‘rivalitet’ në disa nivele, duke u kundërvënë përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian, ndërkohë që shtetet si Hungaria dhe Sllovakia kanë interes për të ruajtur një balancë midis politikës perëndimore dhe atyre që favorizojnë lidhje më të ngushta me Lindjen, përfshirë Rusinë. Serbia, duke ruajtur një neutralitet të tillë ushtarak dhe duke thelluar lidhjet me këto shtete, mund të përpiqet të krijojë një zonë ndikimi që favorizon interesat e saj kombëtare dhe pengon avancimin e forcave perëndimore në rajon”, tha Gashi.

Deklarata lë mundësinë që edhe vendet e tjera t’u bashkohen Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës, teksa është bërë e ditur se ftesë ka marrë Bullgaria.

Aleksandar Vuciq VuçiçBallkani PerëndimorBeogradiMarko GjuriqSerbia