Studentët shqiptarë të RMV-së takuan kongresmenin amerikan Keith Self, i paraqitën shqetësimet për shkeljen e të drejtave

Lëvizja studentore shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka zhvilluar takim me kongresmenin amerikan Keith Self, ku janë diskutuar shqetësimet lidhur me të drejtat kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve, si dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, transmeton Portalb.mk.

Përmes një reagimi publik, përfaqësuesi i studentëve shqiptarë, Mevlan Ademi, tha se gjatë takimit kanë paraqitur drejtpërdrejt shqetësimet për, siç u shpreh ai, “përpjekjet për cenimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të fituara me shumë sakrificë përgjatë këtyre 20 viteve përmes Marrëveshjes së Ohrit”.

Ai theksoi se studentët nuk do të pranojnë kthim prapa në çështjet që lidhen me barazinë, dinjitetin dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në vend.

“Theksuam qartë se studentët nuk do të pranojnë kthim prapa në çështje që prekin barazinë, dinjitetin, të drejtat dhe identitetin tonë kombëtar. Çdo përpjekje për të zhbërë frymën e bashkëjetesës dhe barazisë do të krijonte pasoja serioze për vendin dhe të ardhmen tonë të përbashkët euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Ademi në Facebook.

Takimi me kongresmenin amerikan vjen pas një serie protestash dhe iniciativash të organizuara nga studentët shqiptarë në Shkup, të cilët kanë kërkuar respektimin e të drejtave gjuhësore dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Përndryshe, studentët shqiptarë në Tiranë u dhanë mbështetjen e tyre kolegëve të Shkupit. Ata u shfaqën të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, gjuhën shqipe dhe trajtimin e tyre me dinjitet si element shtetformues.

Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan me pankarta në duar dhe brohoritje për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Kjo ishte hera e dytë që studentët protestuan në Shkup, kurse pas këtyre protestave, pushtetarët e VLEN-it filluan të premtojnë zgjidhje, por pa caktuar afate.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb.mk alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.

Gjuha shqipeKongresi AmerikanProtestaStudentë