Dhomat e Specializuara njoftuan se kanë liruar Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, nën kushte të caktuara, raporton Radio Evropa e Lirë. Përmes njoftimeve të ndara, Dhomat e Specializuara thanë se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, u lirua pasi kryetarja e Dhomave, Ekaterina Trendafilova modifikoi dënimin e tij.
“Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të nga tre vjetët e dënimit të Shalës”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që njihen edhe si Gjykata Speciale, ku u shtua se Shala u kthye në Kosovë më 10 shkurt.
Familjarë të tij kanë publikuar fotografi në rrjetet sociale, ku shfaqet Shala në Kosovë.
Modifikimi i vendimit vjen pasi në dhjetor të vitit të kaluar, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte hedhur poshtë kërkesën e Shalës për ulje të dënimit.
Sipas njoftimit të 10 shkurtit, Trendafilova tha se Shala ka treguar disa shenja të rehabilitimit dhe i kishte dërguar një letër, “në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij”.
“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, tha Gjykata Speciale.
Sipas ligjeve, kur një person vuan dy të tretat e dënimit ai ka të drejtë të kërkojë t’i ulet apo modifikohet vendimi “por vetëm nëse plotëson kriteret” për një gjë të tillë, tha Specialja.
Shala është dënuar me tre vjet burgim shkurtin e vitit 2025, pasi paraprakisht pranoi fajësinë për pengim të drejtësisë.
Shala kishte qëndruar në burgun në Hagë që nga 11 dhjetori i vitit 2023. Ai u dënua së bashku me dy të tjerë, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, ndaj të cilëve prokurorët e Gjykatës Speciale kishin aktakuzë për pengim të drejtësisë.
Bahtijari dhe Januzi u dënuan me nga dy vjet burgim.
Që të tre kishin arritur marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë.