Spasovski: Po përgatisim hapjen e një hapësire të re në Shkup për ndërrimin e dokumenteve personale dhe pa caktim të terminit

Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit hapësira shtesë pune për rritje të kapaciteteve për dhënie të dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues, informoi ministri Oliver Spasovski në intervistë për 360 Gradë, njofton Portalb.mk.

“Ne tashmë po përgatisim një hapësirë të posaçme në Qytetin e Shkupit me instalimin e pozicioneve të reja të punës, stacione të reja pune, në të cilat qytetarët do të kryejnë daktiloskopi, fotografim etj. për dokumentet e reja personale. Gjatë ditëve në vijim do të jemi të gatshëm dhe do të mund t’i hapim hapësirat e reja në të cilat qytetarët do të munden madje edhe pa paralajmërim të shkojnë dhe t’i ndërrojnë dokumentet e tyre”, tha Spasovski.

Spasovski është i bindur se deri në skadim të afatit të gjithë qytetarët do t’i ndërrojnë dokumentet e tyre personale. Ai tha se janë spekulime dhe të pavërteta pohimet se dikush mund të dënohet nëse deri në skadim të afatit nuk nxjerr dokumentet e reja.

Në pyetjen se pse MPB-ja nuk ka filluar me dhënien e dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues menjëherë ose shpejtë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, Spasovski tha se harmonizimi me ndryshimet kushtetuese dhe Ligjin për gjuhët kanë kërkuar përgatitje.

Lidhur me atë se nëse është korrekte, madhe edhe të ketë pasur rrethana objektive, qytetarët ta paguajnë çmimin, Spasovski u përgjigj se kështu thonë dokumentet juridike, marrëveshjet ndërkombëtare dhe ndryshimet ligjore vendore.

Sipas ministrit, deri tani dokumentet personale i kanë ndërruar mbi një milion qytetarë dhe ai është i kënaqur nga dinamika e këtij procesi. Potencoi se 80 përqind e qytetarëve nga brendësia e vendit tashmë i kanë ndërruar dokumentet personale për dallim nga qytetarët e Shkupit.

Përndryshe, Marrëveshja e Prespës me Greqinë është nënshkruar më 17 qershor 2018. Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën me dokumente për përdorim ndërkombëtar dhe dokumente për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren jashtë vendit. Marrëveshja thekson se vlefshmëria e këtyre dokumenteve dhe materialeve do të rinovohet në përputhje me emrin dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Kjo dispozitë i referohet dokumenteve për përdorim të brendshëm, por që mund të përdoren edhe jashtë vendit dhe dokumente të tilla janë letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi.

Përndryshe, në mars të këtij viti, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.

Dokumente personaleMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Oliver Spasovski